E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të poetit dhe ish-të përndjekurit politik, Pano Taçi

14 qershor 2012

Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi shpreh ngushëllimet dhe dhimbjen për ndarjen nga jeta në moshën 83-vjeçare të ish-të përndjekurit politik dhe poetit të shquar, Pano Taçi.

“Me dhimbje dhe keqardhje të madhe mësova për lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të poetit të shquar dhe njëkohësisht njërit prej disidentëve të vërtetë shqiptarë, aq shumë të përvuajturit dhe përjetësisht të përndjekurit nga diktatura e egër komuniste, Pano Taçi!

Në këtë ditë fatkeqësie dhe dhimbjeje të thellë për humbjen e njërit prej poetëve më të spikatur lirikë shqiptarë të gjashtë dekadave të fundit, njeriut dhe idealistit gjithnjë kryelartë e me shpirt rebel e të pakorrigjueshëm lirik, i cili për asnjë çast dhe në asnjë rrethanë nuk u gjunjëzua dhe s’iu përul as diktaturës dhe as veglave e shërbëtorëve të saj, dëshiroj të shpreh e të theksoj vlerësimin personal dhe institucional për të ndjerin Pano Taçi.

Jam i bindur gjithashtu se jeta e tij tragjike dhe vepra e tij poetike dhe atdhetare, e pasur me vlera të rralla e të pamohueshme artistike e njerëzore do të mbeten përjetësisht të gdhendura në kujtesën historike dhe letrare të kombit tonë." - theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit shqiptar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›