Zv/ Kryeministri Pollo: Libofshës dhe Dermenasit iu kthehen pronat publike,korrigjohen padrejtësitë e kryera nga zyrtarë abuzues.

Zëvëndës Kryeministri Genc Pollo, njëkohësisht Kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës, i ngarkuar për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të ndarë me ligjin 7501 deklaroi në një prononcim për shtyp se nxënësve të Libofshës do t’u rikthehet oborri i shkollës, i zaptuar prej më shumë se 10 vjetësh, ndërsa banorët e Dermenasit do të mund të ndërtojnë varrezen e fshatit në truallin e planifikuar që fatkeqësisht ishte zaptuar prej shumë kohësh.
"Komisioni Vendor pranë Prefekturës Fier ka marrë vendimet e duhura duke zbatuar ligjshmërinë, duke ndëshkuar zaptuesit dhe duke i bërë një shërbim të çmuar komuniteteve në Libofshë dhe në Dermenas. Dy rastet e Fierit janë ndër të parat. Por vendime të ngjashme do të vijojnë dhe do të bëhen të njohura. Kështu korrigjohen padrejtësitë e kryera nga zyrtarë abuzues dhe nga privatë të panginjshëm. Kështu i kthehen komuniteteve hapësira të përdorimit publik si dhe krijohet gradualisht një fond për kompensimin e ish pronarëve- deklaroi Zv/ Kryeministri Genc Pollo."
12/05/2009