E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Ambasadorin e ri të SHBA-ve, Dr. Xhon L. Uithers II.

29 gusht 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot Ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të SHBA-ve në Tiranë, Dr. Xhon L. Uithers II, i cili i paraqiti Letrat-kredenciale.

Ambasadori amerikan i përcolli Presidentit Topi përshëndetjet e Presidentit të SHBA-ve Xhorxh U. Bush. Kreu i shtetit e siguroi Ambasadorin amerikan për vendosmërinë e tij në shpënien përpara të reformave institucionale të domosdoshme në Shqipëri dhe i kërkoi t’i përcillte Presidentit Bush përshëndetjet e Tij më të përzemërta.

Gjatë ceremonisë u shpreh reciprokisht dëshira dhe vullneti në thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve ku ambasadori amerikan siguroi Presidentin Topi se SHBA-të mbeten mbështetës të fortë të Shqipërisë në aspiratat e saj për integrimin në NATO.

Duke biseduar për situatën në rajon e veçanërisht mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, Presidenti shqiptar dhe Ambasadori amerikan ndanë besimin për një Kosovë të pavarur dhe për zgjidhjen e statusit te saj në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e mundur.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›