E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takohet me Drejtoren e Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova

2 shtator 2011
Viminacium, Serbi

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot pasdite një takim të veçantë pune me Drejtoren e Përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova në kuadrin e Samitit të 9-të të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore që po mbahet në Serbi.

Presidenti Topi, pasi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të frutshëm dhe shumëvjeçar mes institucioneve shqiptare dhe UNESCO-s, shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme dhe rolin a madh të luajtur nga UNESCO për ruajtjen, evidentimin dhe vlerësimin e pasurive e vlerave kulturore dhe historike të Shqipërisë.

Në këtë prizëm Presidenti Topi vlerësoi lart edhe rolin dhe kontributin personal të Drejtores së Përgjithshme Bokova, duke shprehur besimin në përkushtimin dhe punën e autoriteteve dhe institucioneve shqiptare për të bërë të mundur që procesi i bashkëpunimit me UNESCO-n të vazhdojë me sukses.

“Kultura, historia, arti i popujve të ndryshëm kanë provuar që nëpërmjet ndërlidhjeve të tyre me ato të fqinjëve, nuk njohin kufi duke luajtur rolin e tyre të rëndësishëm e të pazëvendësueshëm në ndërtimin e urave të komunikimit dhe bashkëjetesës mes popujve dhe vendeve të Ballkanit.” - vuri në dukje Presidenti Topi, duke shtuar se: “Rajoni ynë, pas krijimit të shtetit të ri të Kosovës, ka fituar një paqe dhe siguri afatgjatë, duke u orientuar i gjithi drejt integrimit në familjen e madhe evropiane.”

Duke diskutuar për temën e këtij Samiti të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore dhe rolin që luan arti modern e bashkëkohor, Presidenti Topi vuri në dukje nevojën e përfshirjes së Kosovës në këto takime dhe nisma rajonale, sepse vetëm duke forcuar lidhjet e gjithanshme, duke përfshirë edhe ato kulturore mes Kosovës dhe fqinjëve të saj si dhe komunikimi, pajtimi dhe orientimi drejt të ardhmes integruese do të jetë plotësisht i mundur dhe paqja, harmonia e begatia do të karakterizojnë të ardhmen e rajonit tonë, aq shumë të trazuar në të shkuarën.

Drejtorja e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova vlerësoi bashkëpunimin e efektshëm me institucionet shqiptare dhe garantoi se organizata që ajo drejton do të vazhdojë të ndihmojë e të mbështesë vendin tonë në strategjitë kombëtare dhe projektet e veçanta.

Zonja Bokova theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e Samitit të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore që po zhvillohet në Viminacium, për rritjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve të mira mes vendeve të rajonit, veçanërisht atyre kulturore e artistike, duke nënvizuar se vlerat e pasuritë e përbashkëta kulturore dhe historike të popujve ballkanikë, shërbejnë si mjete të efektshme bashkimi dhe ndërveprimi mes kulturave të ndryshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›