E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takon Presidentin e Sllovenisë, Danilo Tyrk.

23 shtator 2008
Nju Jork,
SHBA

Gjatë punimeve të Sesionit të 63-të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një takim pune me Presidentin e Sllovenisë, Danilo Tyrk.

Në këtë takim, Presidenti Topi vlerësoi nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit politik midis dy vendeve dhe nënvizoi tendencën pozitive të shkëmbimeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Kreu i shtetit shqiptar nënvizoi interesin për nxitjen e bashkëpunimit në fushën e energjitikës, transportit, turizmit, etj. nëpërmjet nxitjes së kompanive e biznesmenëve sllovenë, që të investojnë në Shqipëri. Në këtë kontekst, Presidenti Topi shprehu interesin për nxitjen e bashkëpunimit konkret midis dy vendeve tona, si dhe theksoi rëndësinë e lehtësimit të regjimit të vizave që do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave.

Presidenti Topi shprehu besimim në ratifikimin e shpejtë të Protokollit të pranimit të Shqipërisë në NATO, duke vlerësuar kontributin e Sllovenisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe Aleancën e Atlantikut. Gjithashtu, Kryetari i Shtetit shprehu kënaqësinë që Sllovenia po vazhdon të mbështesë shtetin e ri të Kosovës, duke nënshkruar edhe Protokollin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.

Temë e bisedës mes dy presidentëve ishte dhe situata në rajonin e Ballkanit. Presidenti slloven, Tyrk vlerësoi rolin pozitiv të Shqipërisë në rajon.

Gjithashtu, nga ana e tij, Presidenti i Sllovenisë garanitoi promovimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe edhe nëpërmjet intensifikimit të kontakteve në të gjitha nivelet. Kreu i shtetit slloven vuri në dukje angazhimin në drejtim të rritjes së bashkëpunimit ekonomik, e sidomos në atë të biznesit mes dy vendeve tona.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›