E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon në Kosovë Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Lejtnantin Xhuzepe Emilio Gej.

8 janar 2009
Prishtinë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi u prit sot në një takim pune në Prishtinë dhe nga Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Xhuzepe Emilion Gej. Në këtë takim, Presidenti Topi shprehu pikësëpari vlerësimin e shtetit shqiptar për kontributin e KFOR-it dhe mbështetjen e plotë për të në garantimin e sigurisë në Kosovë, veçanërisht gjatë procesit të shpalljes së pavarësisë, por edhe pas saj.

Gjatë bisedës, duke iu referuar zhvillimeve më të fundit në Kosovë, Kreu i Shtetit shqiptar vuri në dukje se “ne mbështesim mesazhet e vazhdueshme për qetësi, stabilitet dhe maturi të Gjenaralit Gej dhe forcës ndërkombëtare të drejtuar prej tij, si dhe angazhimin për të reaguar me forcë ndaj gjithë elementëve apo grupeve ultranacionaliste, që do të tentojnë të destabilizojnë situatën në të gjithë territorin e Kosovës”. Gjithashtu, Presidenti përshëndeti vendosmërinë e NATO/KFOR, Misionit të BE-së dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë, për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës, sigurimin e funksionimit të institucioneve legjitime të saj, në gjithë territorin, përfshirë veriun e Mitrovicës. “Vetëm kështu”, - tha President Topi, - “garantohet sigura, stabiliteti dhe paqja jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin tonë”.

Gjeneral Lejtnant Xhuzepe Emilio Gej bëri një përshkrim të situatës aktuale, duke e informuar Kreun e shtetit shqiptar për zhvillimet më të fundit dhe punën e deritanishme të KFOR-it për të ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë si dhe për ndërtimin dhe fuqizimin e kapaciteteve vendore të sigurisë.

Komandanti i KFOR-it në Kosovë vlerësoi lart edhe bashkëpunimin e shkëlqyer me Shqipërinë duke vënë në dukje rëndësinë e rolit moderator të faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë rajonale.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›