E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi u uroi sot Festat e fundvitit të moshuarve në Qendrën e të Moshuarve në kryeqytet.

22 dhjetor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, bëri sot një vizitë në Qendrën e të Moshuarve në kryeqytet, ku u takua me të moshuarit e strehuar duke u uruar Festat e fundvitit.

Presidenti Topi, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Aleksandër Flloko si dhe anëtarë të Kabinetit, i shoqëruar nga Drejtori i Qendrës, Resul Domi, vizitoi ambientet e reja dhe të rikonstrukuara të saj, si dhe mori pjesë në aktivitetin e organizuar me këtë rast, ku të moshuarit falenderuan Kreun e shtetit për vëmendjen dhe kujdesin e kushtuar ndaj shtresës së tyre.

Kreu i shtetit, në fjalën përshëndetëse në prani të të gjithë të moshuarve të Qendrës, theksoi:

“Kam rastin të bëj nje urim të veçantë në pragun e festave, në një ambient shumë specifik tek Shtëpia e të Moshuarve. Është një ambient i ri, i restauruar, i rikonstruktuar. Më vjen mirë që duke e krahasuar me një vit më parë ka ndryshuar jo thjesht godina dhe kushtet, por edhe kushtet e motit. Një vit më parë ishte një ditë me shi, dukej sikur ishte një ditë e zymtë, sot është një ditë ë bukur. Tani, ajo që është më e rëndësishme, është rritur ndjeshëm kujdesi ndaj të moshuarve. E thashë edhe në takimin me të moshuarit që festat e Vitit të Ri vlejnë për të gjithë, por ne duhet të marrim në konsideratë kategoritë më të ndjeshme, fëmijët dhe të moshuarit. Sidomos mosha e tretë është shumë e rëndësishme që të merret në konsideratë nga të gjithë. Uroj që të gjithë ta kalojnë moshën e tretë, sepse tregon që njerëzit e kanë jetën e gjatë, por asnjëherë të mos harrojmë që është kategoria e njerëzve që kërkon më shumë dashuri, më shumë respekt, pikërisht në momentin kur secili pre tyre bën edhe një rikapitulim të të gjithë asaj që ata kanë realizuar në jetë. Brezi për të cilin ne diskutojmë është brezi që është munduar më shumë, kështu që shoqëria dhe institucionet, dhe shteti, kanë një detyrim që t’ia kthejnë këtë borxh. Kjo është ndoshta më minimalja që ne mund të bëjmë për ta.
Dëshiroj që me këtë rast t’ju uroj dhe juve: Gëzuar”!

Në fund të aktivitetit, me rastin e festave të fundvitit u shpërndanë dhurata për të moshuarit, si dhe u bënë fotografitë-kujtim të kësaj dite të veçantë.

* * *
Presidenti Topi i është përgjigjur edhe interesimit të gazetarëve të pranishëm, përsa i përket ligjit të dosjeve.:

“Unë në natyrën time, nuk bëj koment mbi komente, por duke qenë gjithmonë në një pozicion respekti ndaj medias dhe transparencës publike, do të bëja thirrje që t’i ktheheni arshivës. Secila nga mediat ka arkivën e vet, dhe aty do të gjeni të gjitha deklaratat e mia, përsa i përket çështjes së dosjeve. Në rast se do të më pyesnit si politikan, gjithmonë kam qenë i hapur për ta parë këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë sa më profesionale, në mënyrë sa më të gjerë, sa më komplekse, dhe natyrisht që, ai që kërkon të bëjë karrierë, natyrisht që ka disa detyrime parësore dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me pastërtinë morale. Për të folur si President pastaj, si President unë flas nëpërmjet dekretit.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›