E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi uron besimtarët bektashinj shqiptarë për Festën e Hashures

5 dhjetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik drejtuar Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, uron të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë për Festën e Hashures.

“Të dashur besimtarë bektashinj shqiptarë kudo ndodheni,

Për ju sot është një ditë domethënëse kremtimi, Festa e Hashures dhe, në këto momente të gëzimit tuaj të përbashkët, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia më të sinqerta e të përzemërta!

Është vërtetë një traditë e bukur e kësaj date të bekuar në kalendarin islamik, por edhe një vlerë e rrallë njerëzore, e cila tek besimtarët shqiptarë shfaqet me gjithë shenjtërinë e saj, kur vëren shfaqjen e dashurisë dhe të mirëkuptimit për njëri-tjetrin, një qasje më të ndjerë ndaj aktit të ofrimit të ndihmës, shkëmbimit të të mirave, vëmendjen ndaj të moshuarve e ndaj fëmijëve, duke u dhënë atyre më tepër përkujdesje, dashuri e kënaqësi.

Dhëntë Perëndia që dhe viti i ardhshëm të jetë për të gjithë ju një vit i prodhimtarisë, begatisë, i paqes, tolerancës, si dhe i krijimi të familjeve të reja, të lindjes së fëmijëve të shëndetshëm dhe i të gjithë të tjera! Gëzuar Festën e Hashures!” – theksohet në mesazhin e Presidentit Topi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›