E Diel, 1 Nëntor 2026

MESAZH I PRESIDENTIT TOPI ME RASTIN E 99-VJETORIT TË KRIJIMIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA SHQIPTARE

4 dhjetor 2011

Të dashur pjesëtarë të Forcave të Armatosura Shqiptare,

Si President i Republikës së Shqipërisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, kam kënaqësinë t’ju përshëndes dhe t’ju përgëzoj përzemërsisht në përvjetorin e 99-të të themelimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë!

Akti i 4 dhjetorit të vitit 1912 ishte një arritje historike për popullin shqiptar, rezultat i luftës patriotike dhe i përpjekjeve stoike për liri, mëmvetësi e shtet-formim. Dinjiteti i ushtrisë shqiptare ndër vite u mbajt i gjallë në vetëdijen tonë kombëtare, tek të gjitha shtresat e popullsisë dhe në veçanti tek ata vullnetarë, të rinj e të reja, që hodhën themelet e ushtrisë shqiptare dhe që me besimin, vitalitetin dhe gjithë veprimtarinë e tyre në shërbim të vendit ngritën kolonat bazë të arkitekturës ushtarake të shtetit që do të vinte më pas. Përgjatë gjithë historisë në mbrojtje të lirisë dhe interesave madhore të Shqipërisë, shumë prej bijve dhe bijave të këtij kombi e vunë jetën e tyre të re në altarin e atdheut dhe të lirisë. Lavdi të përjetshme dhe nderim të thellë përpara kujtimit të tyre të shenjtë!

E lindur në bedenat e qëndresës heroike e të përgjakshme të popullit shqiptar, ushtria jonë vazhdon të zhvillohet e të forcohet. Në ditët e sotme, Forcat e Armatosura shqiptare janë një garanci e hekurt që dëshmon jo vetëm ekzistencën, por edhe rolin e tyre kontribues në rajon e më gjerë në mbështetje të paqes dhe të sigurisë. Modernizimi i ushtrisë shqiptare në respekt të parimeve themelore të ndërtimit dhe funksionimit të organizmave ushtarake në shoqëritë demokratike, ridimensionimi i misioneve me kontributin e ushtrisë shqiptare në funksion të emergjencave civile, rritja e shkallës së ndërveprueshmërisë me partnerët ndërkombëtarë, janë këto vetëm disa nga aspektet kryesore që kurorëzuan procesin e integrimit të Forcave të Armatosura shqiptare dhe anëtarësimin e tyre me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut më 2 prill të vitit 2009.

Ne sot kemi të drejtën të ndihemi krenarë për këto arritje cilësore të ushtrisë shqiptare. Ne ndihemi krenarë për vlerësimet për profesionalizëm të lartë, zotësi e përkushtim, virtyte morale e humane që përfaqësuesit më të denjë të Forcave tona të Armatosura në botë, ushtarakët shqiptarë në misionet paqeruajtëse në Bosnje-Hercegovinë, Afganistan dhe Irak, marrin nga aleatët tanë dhe partnerët strategjikë të NATO-s. Ne ndihemi krenarë sot për besueshmërinë e lartë, respektin e konsoliduar dhe prestigjin që figura e ushtarakut shqiptar gëzon me meritë tek qytetarët e këtij vendi, por të dëshmuara gjithashtu edhe si rezultat i përballjes me sfida të njëpasnjëshme në procesin e kryerjes së misioneve ushtarake të shkallës dhe vështirësive nga më të ndryshmet. Kjo edhe për faktin se në këto përballje në shkallë kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, ushtarakët shqiptarë kanë ditur të jenë vizionarë dhe t’u përgjigjen kritereve ushtarake bashkëkohore për të zgjidhur drejt edhe ato detyra që rrjedhin nga të qenit pjesë e Aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë.

Të nderuar gjeneralë, oficerë, nënoficerë dhe ushtarë,

Dita e krijimit të Forcave të Armatosura është jo vetëm një festë kombëtare, por njëkohësisht është edhe festa juaj profesionale. Profesioni i ushtarakut është një mision, një vokacion që buron drejtpërdrejt nga vlerat më të larta dhe të shenjta të atdhedashurisë dhe të sakrificës më sublime në emër të Shqipërisë. Ruajtja e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale te vendit, mbrojtja dhe mbështetja e popullit në kohe paqeje, krize e lufte, si dhe dhënia e kontributit për paqen dhe sigurinë kudo në botë janë detyra të larta që kërkojnë përgjegjshmëri, aftësi të spikatura dhe zotërim në përkryerje të teknologjisë ushtarake. Por, ato marrin kuptim dhe mbajnë peshë kurajën profesionale vetëm falë cilësive tuaja të larta morale dhe ndjenjës së pathyeshme të patriotizmit.

Si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura kam bindjen time të palëkundur se ju i gëzoni plotësisht dhe denjësisht këto cilësi ndaj dhe e meritoni respektin, dashurinë dhe besimin e popullit tonë. Dëshiroj gjithashtu t’ju siguroj për mbështetjen time si në rrugën e përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë, profesionalizmit si dhe në përmbushjen me sukses të detyrave tuaja të rëndësishme, brenda dhe jashtë vendit! Edhe një herë ju përgëzoj në këtë përvjetor të 99-të të themelimit të Forcave tona të Armatosura! Ju uroj suksese të mëtejshme në përmbushjen e misionit tuaj fisnik në shërbim të popullit shqiptar, përparimit dhe mirëqenies së Shqipërisë!

Rroftë Republika e Shqipërisë dhe Forcat e Armatosura të saj!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›