E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi uron besimtarët myslimanë shqiptarë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.

1 shtator 2008

“Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë!

Me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, gjej rastin dhe kam kënaqësinë t’u uroj mbarë besimtarëve mylimanë shqiptarë, kudo që ndodhen një agjërim të lehtë, mbarësi e begati në familjet e tyre!

Ky muaj i bekuar nuk është thjesht periudha për të pastruar shpirtin, rikthyer e përqendruar vëmendjen tek Zoti, për të sakrifikuar e për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Gjatë gjithë këtij muaji agjërimi e përkushtimi, ne rivlerësojmë jetën tonë sipas mësimeve dhe udhëheqjes fetare të të Plotfuqishmit, bëjmë paqe me vetveten dhe ndreqim gabimet, forcojmë lidhjet me familjen dhe me miqtë tanë duke praktikuar tolerancën dhe harmoninë fetare, që e kanë karakterizuar popullin tonë ndër shekuj. Pikërisht toleranca dhe harmonia fetare, bashkëjetesa paqësore mes feve e kanë shndërruar kombin shqiptar në një shembull të rrallë anembanë botës të këtyre vlerave sa njerëzore, aq edhe shpirtërore.

Përgjatë këtij muaji të madhërueshëm, solidariteti dhe mirësia njerëzore arrijnë kulmin e tyre, duke na afruar e bërë më të gjindshëm me njëri-tjetrin e duke ndarë jo vetëm gëzimin e besimin në vlerat fetare e njerëzore, por edhe duke kremtuar festat së bashku, pavarësisht besimeve të ndryshme.

Zoti jua lehtësoftë agjërimin, jua plotësoftë dëshirat duke e mbushur jetën tuaj e të familjeve tuaja me shëndet e mirësi! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe kombin shqiptar!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›