E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryetarin e Aleancës për Ardhshmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

3 shtator 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Pallatin eBrigadave, Kryetarin e Aleancës për Ardhshmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj së bashku me delegacionin që e shoqëronte gjatë vizitës në vendin tonë.

Pasi u uroi mirëseradhjen, Presidenti Topi vlerësoi rolin e spikatur të z. Haradinaj gjatë luftës çlirimtare, kontributin e çmuar përgjatë procesit të pavarësimit, si edhe maturinë e përvojën e vyer politike në kohën kur ishte kryeministër i Kosovës. Kreu i shtetit risolli në kujtesë vizitën e paharruar në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen për pritjen e ngrohtë që iu rezervua nga mbarë populli dhe të gjitha personalitetet, jo vetëm në Prishtinë, por veçanërisht në Pejë.

Presidenti Topi theksoi se tashmë pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj nga shumë demokraci të fuqishme të botës, Kosova gjendet në një moment të rëndësishëm historik dhe ka shumë nevojë për përkushtimin dhe mbështetjen maksimale për njohjen e saj të mëtejshme, duke siguruar se shteti shqiptar dhe të përfaqësuesit e tij do të vazhdojnë ta bëjnë këtë në të gjitha takimet e nivelit të lartë me partnerët ndërkombëtarë. Në takim u diskutua gjithashtu për rritjen e bashkëpunimit dypalësh ekonomik në fusha me interes të ndërsjelltë si ajo energjitike dhe u nënvizua rëndësia e përfundimit të rrugës Durrës-Morinë, si një arterie që do të hapësira për zhvillimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të marëdhënieve tregtare-ekonomike si dhe lëvizjes së lirë e të shpejtë të njerëzve e mallrave.

Ish-kryeministri kosovar dhe udhëheqësi i AAK-së, z. Haradinaj pasi falenderoi Presidentin Topi për pritjen e rezervuar, vlerësoi rolin moderues dhe kontributin e tij të rëndësishëm përgjatë procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe arritjen e pavarësisë së saj. Z. Haradinaj vlerësoi gjithashtu edhe arritjet e sukseset e Shqipërisë si marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, nënshkrimi i MSA-së duke shprehur nevojën për rritjen e forcimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe diplomatik, sidomos përsa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës nga më shumë vende të botës.

Presidenti Topi dhe Kryetari i AAK-së, z. Haradinaj diskutuan edhe për situatën në Ballkan duke ndarë të njëjtën pikëpamje se e ardhmja e të gjitha vendeve rajonale është e projektuar drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike dhe në familjen e madhe evropiane.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›