E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi uron fëmijët shqiptarë me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

1 qershor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot paradite në Zyrën e tij njëzet fëmijë nga “Fshati SOS”, me rastin e Festës së tyre, 1 Qershorit. Në një atmosferë të bukur festive, Presidenti Topi u përshëndet nga afër plot emocion me fëmijët e dalluar dhe bashkëbisedoi ngrohtësisht me fëmijët, të cilët i dhuruan lule dhe e falenderuan Kreun e Shtetit për urimet e sinqerta dhe të përzemërta.

Në këtë ditë të shënuar për fëmijët, Kreu i Shtetit shqiptar mbajti një fjalë përshëndetëse, në të cilën shprehu urimet më të mira për të gjithë fëmijët, por dhe për prindërit e mësuesit e tyre, si dhe bëri apel për ndërgjegjësimin e mbarë shoqërisë shqiptare për më tepër përkujdesje ndaj fëmijëve, brezit që përfaqëson të ardhmen e vendit.

“Të dashur fëmijë,

Edhe unë ju uroj nga zemra këtë ditë që është posaçërisht për ju! Është një ditë kur edhe të mëdhenjtë festojnë së bashku me ju. Është një nga ato ditë kur fëmijët vërtet gëzojnë, por kur të mëdhenjtë duhet të mendojnë! Duhet të mendojnë për jetën e fëmijëve, për të ardhmen e tyre! Çdo prind duhet të jetë i ndërgjegjshëm për krijesat që ka sjellë në jetë dhe ky është një apel edhe për institucionet: unë dëshiroj të përgëzoj institucionin që ju ka vënë nën kujdes, sepse jua ka bërë jetën njësoj si të gjithë të tjerëve! Ju duhet të mësoni shumë! Jam i bindur që kur të rriteni, ju do të krijoni familjet tuaja të shëndosha, do të punoni secili në profesionin e vet dhe nga informacioni që kam, të gjitha premisat janë që ju do të bëheni njerëz të shëndetshëm të kësaj shoqërie, që patjetër qytetarët e saj nesër do t’i ketë qytetarë evropianë!

Unë ju falenderoj që erdhët këtu për ta festuar së bashku! Sot ne kemi të pranishëm shumë njerëz, që vijnë nga bota e bukur e medias dhe ata do ta përcjellin me siguri festën tuaj sot, por një apel do t’ia japim edhe medias që: përveç debateve të gjata të politikës, të cilat media është e detyruar t’i transmetojë, dihet që në strukturën e programeve të tyre çdo ditë të kemi më shumë emisione për fëmijë, më shumë emisione edukuese për fëmijë, sepse jeta e fëmijëve duhet të shoqërohet patjetër me programe të posaçme! Të mos kujtohemi vetëm në ditën e 1 Qershorit për të folur nga mëngjesi deri në mbrëmje për fëmijët, por duhet të kujtohemi çdo ditë të vitit! Besoj që ky është një apel që nuk ju drejtohet juve, të dashur fëmijë, por u drejtohet institucioneve, u drejtohet të rriturve që të mendojnë çdo ditë të vitit për ju, sepse ju do të jeni e ardhmja e këtij vendi!

Edhe njëherë gëzuar! Gëzuar 1 Qershorin!”

Pas fjalës përshëndetëse, Presidenti Topi ndoqi një shfaqje të shkurtër artistike të përgatitur nga fëmijët, të cilët recituan tri vjersha shumë të bukura dhe emocionuese. Drejtoresha e “Fshatit SOS”, zonja Teuta Shkenza u shpreh: “Ju falenderoj në emër të fshatrave SOS në Shqipëri për ftesën, për kohën, për mundësinë që u dhatë këtyre fëmijëve që të vijnë e të festojnë 1 Qershorin në Zyrën tuaj! Njëkohësisht unë do t’u thoja Gëzuar Festën e 1 Qershorit gjithë fëmijëve! Kjo do të mbetet si diçka e paharruar në mendjet e tyre dhe praninë këtu do ta kujtojnë gjithmonë me nostalgji. Ju falemnderit!”

Më pas Kreu i Shtetit shqiptar u shpërndau fëmijëve libra si dhurata simbolike me rastin e Festës së 1 Qershorit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›