E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi vizitë zyrtare në Katar, Berisha miraton marrëveshje me Katarin në Tiranë

Share

Rivaliteti dhe konflikti i hapur politik mes kryeministrit Berisha dhe presidentit Topi nganjëherë kalon përmasat e një konflikti vetëm verbal e institucional duke marrë përmasa të ndryshme, gati groteskte. Kështu ndodhi sot kur kreu i qeverisë shfrytëzoi ditën kur kreu i shtetit ndodhej për një vizitë zyrtare në Katar për të bërë një lëvizje që të mund të minimizonte rezultatet e kësaj vizite. Ndërsa Topi takohej me Emirin e Shtetit të Katarit, Sheik Hamad Bin Khalifa Al Thani, në Pallatin Mbretëror, Berisha miratoi në Këshillin e Ministrave në Tiranë dy marrëveshje me Katarin. Topi kërkoi gjatë takimeve të tij me zyrtarë të lartë të shtetit të Katarit që të ketë më shumë investime të këtij vendi të pasur në Shqipëri. Këtë kërkesë kreu i shtetit e transmetoi dhe në takimet me dhomën e tregtisë dhe industrisë së Katarit. Ndërsa Berisha firmosi dje dy marrëveshje kulturore dhe në fushën e turizmit mes dy vendeve.

Presidenti kërkon shtimin e investimeve të Shtetit të Katarit në Shqipëri

Presidenca shqiptare njofton se presidenti Bamir Topi dhe delegacioni zyrtar u pritën nga Emiri i Shtetit të Katarit, Sheik Hamad Bin Khalifa Al Thani, në Pallatin Mbretëror. Dy krerët e shteteve vlerësuan pozitivisht klimën shumë të mirë të marrëdhënieve e të dialogut të shkëlqyer politik që ekziston midis dy vendeve tona, të konkretizuar në shkëmbimin e vizitave të fundit bilaterale të nivelit të lartë, si dhe shprehën vullnetin për zhvillimin dhe fuqizimin akoma më tej të marrëdhënieve miqësore e të gjithanshme midis Shqipërisë dhe Katarit. Presidenti Topi shprehu “interesimin e shtetit shqiptar për rritjen e fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, kryesisht për shtimin e investimeve të Shtetit të Katarit në Shqipëri, zgjerimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dhe projekteve konkrete në fushën ekonomike, energjetike, infrastrukturore, në bujqësi, agro-industri, sektorin minerar dhe atë të gazit, por dhe në atë të turizmit, në shërbim të zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve”. Emiri i Shtetit të Katarit, Hamad Bin Khalifa Al Thani, pasi e falënderoi Presidentin Topi për pranimin e ftesës dhe këtë vizitë të dytë brenda një periudhe të shkurtër në Shtetin e Katarit, vuri edhe njëherë në pah marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona, duke shprehur bindjen në intensifikimin e mëtejshëm të tyre, përmes shtimit të bashkëpunimit e konkretizimit me marrëveshje e projekte të rëndësishme të zbatueshme në fusha me interes të ndërsjellë si turizmi, bujqësia me prodhimet e saj organike, agro-industria, industria minerare, etj.

Berisha miraton dy marrëveshje me Katarin

Në vendimet e sotme të Këshillit të Ministrave janë miratuar dhe dy marrëveshje me Katarin. E para erdhi me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe është në fushën kulturore. Në vendim thuhet se KM vendosi: “miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Katarit, për bashkëpunim kulturor, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi. Ndërsa më tej u miratua dhe një memorandum mirëkuptimi. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi: “Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Katarit, për bashkëpunim në fushën e turizmit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›