Skandali i spastrimeve në Bashki. Kushërira e gruas së Bashës, masakër mbi punonjësit (FAKSIMILET)
Skandalet e emërimeve në Bashkinë e Tiranës vazhdojnë me degët e tjera të PD-së. Gazeta Tema boton sot korrespodencën e brendshme në Bashkinë e Tiranës mes një Drejtoreshe të Burimeve Njerëzore, e cila urdhëron Drejtoritë e Bashkisë ti vënë asaj në dispozicion listën e gjithë punonjësve që janë në punë dhe listën e atyre që do të punësohen duke hequr ata që janë në punë. Skandali është i rëndë po të shikohet mungesa e respektit që kanë për çdo qytetar të punësuar, të cilin e trajtojnë thjesht si një emër që fshihet me gomë lapsi dhe zëvendësohet me një listë të ardhur nga degët e PD-së.
Në e-mailin e parë (FAKSIMILE 1) shikoni një e-mail të nisur nga Murat Mehmeti, një drejtues lokal i PD-së, i cili i ka përcjellë Drejtorisë së Bashkisë një listë me militantë që kjo drejtori duhet të punësojë. Lista përmban plot 27 persona, të cilët duan të punësohen në të gjitha vendet e punës që nga drejtor deri tek kaldajist (FAKSIMILE 2). Lista është e firmosur nga tre drejtues të seksionit të PD-së dhe ky është dokumenti më i rëndësishëm për punim sot në administratën e Lulëzim Bashës. Ajo vjen nga i quajturi grupseksioni 11. Kujtojmë se nga grupseksioni 11 vetëm Albana Vokshi kishte përcjellë një listë me 80 gra që duhet të punësoheshin po në Bashki.
Në e-mailin e dytë kemi një komunikim mes Orkida Begteshit që është një përgjegjëse sektori dhe të ashtuquajturës Teze të Bashkisë, të cilat kanë përgatitur listën e personave të punësuar në drejtorinë nr.3, e cila me sa duket është lista e viktimave që do të hiqen për tu zëvendësuar me listat e ardhura nga grupseksioni 11 (FAKSIMILE 3).
Përmbajtja e e-mailit është e rëndë, pasi dy zyrtaret e Bashkisë, (ajo më e rëndësishmja është kushërira e gruas së Lulëzim Bashës, përndryshe Tezja) i kërkojnë njëra- tjetrës që lista të azhornohet çdo javë duke reflektuar ndryshimet, d.m.th njerëzit që do ikin me ata që do të zëvendësohen.
Heshtja nga Bashkia
Bashkia ka heshtur për skandalin e emërimeve me lista nga PD-ja. Kryetari i saj, Lulëzim Basha, si reagim të parë ka bërë thirrjen e specialistëve të IT për të forcuar sistemin e sigurisë së serverit, por nuk ka pranuar të bëjë asnjë deklaratë. Gjatë ditës së djeshme në Bashki kanë vazhduar debatet për rrjedhje informacioni, por askush nuk ka bërë një deklaratë për të sqaruar skandalin e emërimeve. Faktet janë të mjaftueshme jo vetëm për gjyqe civile ndaj këtyre drejtuesve, por dhe për padi penale ndaj tyre pasi janë duke thyer një ligj me paramendim duke paragjykuar aftësitë e atyre që janë në punë dhe duke marrë të mirëqenë një udhëzim të paligjshëm politik.

FAKSIMILE 1- E-maili i parë, dërguar nga zyrtari i PD me listën e militantëve

FAKSIMILE 3- Komunikimi mes Orkida Begteshit dhe Tezes
