Presidenti Topi viziton Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve me rastin e Festës së Hashures.

29 dhjetor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, vizitoi sot Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve me rastin e Festës së Hashures.
Pasi u takua dhe u përshëndet ngrohtësisht me Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe krerët e tjerë bektashinj, të cilët mikpritën Kreun e Shtetit gjatë kësaj vizite, Presidenti Topi përcolli përmes mediave të pranishme, urimet më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët bektashinj shqiptarë kudo ata ndodhen: “Padyshim që këtë urim e jap për të gjithë besimtarët bektashinj. Është një ditë e shënuar, dhe jo vetëm për ta, por për të gjithë besimtarët shqiptarë, të cilët festojnë festat e njëri tjetrit. Është edhe në prag të festës së vitit të ri, kështu që jemi në një atmosferë festash. U urojmë të gjithëve të kenë paqe, harmoni, shëndet sigurisht dhe besoj që të gjitha në funksion të një Shqipërie më të bukur!”