E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi viziton komunitetin boshnjak në Borak të Xhafzotaj.

22 janar 2009

Presidenti i Republikës Prof.Dr.Bamir Topi ka qenë sot në Borak të komunës Xhafzotaj, i ftuar nga komuniteti boshnjak që jeton prej shumë vitesh tashmë në këtë zonë.

Presidenti Topi është pritur nga kryetari i komunës Xhafzotaj Agim Hoxhaj, kryetari i shoqatës së komunitetit boshnjak në Shqipëri, z.Fiqiri Klari dhe nga banorë boshnjakë të fshatrave Borak e Koxhas.

Në fjalën e hapjes, kryetari i shoqatës së komunitetit boshnjak në Shqipëri z.Fiqiri Klari, pasi e ka falenderuar Presidentin e Republikës për këtë vizitë të parë si Kryetar Shteti, ka kujtuar se z.Topi është mik i kësaj zone pasi e ka vizituar atë vazhdimisht ndër vite. Z.Klari vërejti në fjalën e tij se komuniteti boshnjak ndihet krenar pasi ai jeton në harmoni të plotë me qytetarët shqiptarë vendas. Duke vlerësuar këtë realitet, ai i përcolli Presidentit Topi kërkesën e këtij komuniteti për mësimin e gjuhës amtare në baza shtetërore pasi deri tani ky mësim bëhet në mënyrë vullnetare.

Në përshëndetjen e tij, Presidenti i Republikës është shprehur se e ka pranuar me shumë kënaqësi ftesën për të ardhur mes komunitetit boshnjak, jo vetëm si detyrim institucional por edhe moral pasi në këtë fshat ka qenë edhe herë të tjerë. “Me kënaqësi konstatoj se komuniteti boshnjak që ka mbërritur tek ne që në vitin 1875 është ndër më të integruarit në Shqipëri si një komunitet shumë i emancipuar, punëtor e mjaft mikpritës, që ka ditur të përballet me të gjitha sfidat tona të përbashkëta.”, ka thënë Presidenti Topi.

Kryetari i shtetit ka vërejtur se 2008-a ka qenë vit i intensifikimit të bashkëpunimit, për shkak edhe të vizitave të Presidentit e Kryeministrit të Bosnjë-Hercegovinës në Shqipëri, por edhe të kontakteve të udhëheqësve të lartë të dy vendeve në forumet ndërkombëtare.

“Jam shumë i sigurt, ka shtuar Presidenti Topi, se jeta e komunitetit tuaj, sikurse e të gjithë shqiptarëve do bëhet më e mirë. Shqipëria ndodhet para sfidave shumë të rëndësishme të cilat do t’i përmbushë me sukses. Në prill të këtij viti do jemi anëtarë të NATO-s, ndërsa do bëjmë hapa akoma më përpara drejt antarësimit në BE dhe shqiptarët do kenë mundësi shumë shpejt të qarkullojnë lirshëm e pa viza në Evropë.”
Presidenti Topi i ka premtuar komunitetit boshnjak mbështetjen e tij institucionale për mësimin e gjuhës amtare në baza zyrtare.

Në këtë takim banorë të komunitetit boshnjak ndanë me Presidentin Topi mendime mbi përditshmërinë e jetës së tyre dhe të ardhmen e vendit.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›