E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi zgjidh "sherrin" e futbollit shqiptar

 

Pas takimit tripalësh midis Presidentit të Republikës, kreut të FSHF-së dhe Ministrit të Sporteve, duket se krizado të zgjidhet

Fund i lumtur nga takimi tripalësh Topi-Duka-Pango. Kolapsi që ka kapur futbollin shqiptar duket se mori fund dje, pas bisedës 40-minutëshe në zyrën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në fund, kreu i FSHF-së, Armand Duka, bashkë me ministrin e Sporteve, Ylli Pango, pas një përshëndetjeje të ngrohtë, dolën të qeshur nga presidenca. Arsyeja: për të mirën e futbollit shqiptar. Të hënën ministri Pango kishte rënë dakord me FIFA-n, duke i premtuar kësaj të fundit firmosjen e statutit, ndërsa "i famshmi" neni 53 do të lihej "i ngrirë" për t'u diskutuar në asamblenë e radhës të FSHF-së. Por për të konfirmuar gjithçka, do të duhej medoemos takimi me Presidentin Topi, i njohur si një dashamirës i futbollit. Edhe vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, besimin e kishte vetëm te kreu i shtetit, teksa jo më kot deklaroi: "Do të pranoj çdo zgjidhje të Presidentit të Republikës." Dhe ashtu ndodhi. Në këtë takim të iniciuar nga kreu i shtetit u konfirmua se statuti i FSHF-së do të firmoset nga ministri Pango, me ndryshimin e vetëm që "ngërçi", i cili ka të bëjë me nenin 53, të lihet "i ngrirë" dhe pas vendimit të FIFA-s për tërheqjen e pezullimit do të punohet për të gjetur një formë të përshtatshme, duke e zgjidhur edhe këtë problem. Dhe tashmë më shumë se fjalët, e rëndësishme është se u bë një hap i madh për zgjidhjen e çështjes, teksa futbolli shqiptar do të nisë të marrë "frymë". Por për rikthimin në FIFA, nga kjo e fundit janë vënë disa kushte, të cilat duhet të zbatohen nga pala shtetërore. Firmosja e statutit nga Pango nuk është gjithçka, sepse problemi ngelet te regjistrimi i tij në gjykatë. Tashmë janë dy mundësi: MTKRS-ja të humbasë gjyqin me federatën në gjykatën e lartë, ose të tërheqë padinë, për t'i hapur rrugën regjistrimit të statutit. Kjo detyrë ngelet për t'u zgjidhur ekskluzivisht nga ministri Pango. Pasi të konfirmohet regjistrimi i statutit të FSHF-së, atëherë FIFA dhe UEFA, si dy institucionet më të larta të futbollit, pritet të heqin masën e pezullimit të Shqipërisë nga aktivitetet ndërkombëtare. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, rreziku i një Shqipërie të përjashtuar merr fund. Në kuadër të zgjidhjes përfundimtare të çështjeve të mbetura pezull, do të ngrihet një grup pune katër palësh, me përfaqësues të ministrisë, FIFA-s, UEFA-s dhe federatës. Ndërkohë, ajo që vlen për t'u përmendur është mbështetja e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili shërbeu si katalizator për zgjidhjen e menjëhershme të kësaj çështjeje. Por mbi të gjitha, takimi i djeshëm tregoi se ekzistoi vullneti për të mirën e futbollit. Sidoqoftë, ngelen për t'u parë në vazhdimësi marrëdhëniet midis palës shtetërore dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›