"Lul Berisha", 192 dëshmitarë kundër
Prokuroria paraqet në gjykatë listën e dëshmitarëve dhe 257 prova shkencore kundër bandës së Lul Berishës
Prokuria lexon akuzat për anëtarët e bandës së Durrësit, 10 muaj pas hapjes së gjyqit
TIRANË- Megjithëse dyert e gjykatës janë hapur prej 10 muajsh për bandën e Durrësit, shqyrtimi gjyqësor mund të konsiderohet i hapur që prej ditës së djeshme. Pas shumë debatevegjyqësore mes avokatëve, prokurorëve dhe trupit gjykues, të kryesuar nga Gurali Brahimllari, ky i fundit veçoi çështjen ndaj të pandehurit në mungesë, Bujar Gashi dhe kërkoi nga prokuroria leximin e kërkesës për gjykim. Gjatë seancës së djeshme, prokurori Dibra tregoi para gjykatës të gjitha rastet e vrasjeve, plagosjeve dhe njërrëmbimi, të cilat i bazoi në provat e mbledhura. Më pas, ai pohoi para gjykatës se për të vërtetuar këto akuza, do të thirren për të dëshmuar 192 dëshmitarë si dhe do të paraqiten 257 prova shkresore dhe ekspertiza shkencore. Dëshmitarët, sipas prokurorisë, do të vërtetojnë provat e mbledhura për kryerjen e 8 vrasjeve, rrëmbimit të një femre për 18 muaj, 5 vrasjeve të mbetura në tentativë, mes të cilave edhe atentatet ndaj Lulzim Berishës.
***
Sipas kërkesës për gjykim, në listën e dëshmitarëve të prokurorisë ndodhet edhe emri i të pandehurit Adriatik Coli, i cili ka fituar statusin e të penduarit dhe 5 dëshmitarëve që kanë fituar statusin e dëshmitarit të drejtësisë dhe janë nën mbrojtjen e efektivëve të Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë të krijuar pranë Ministrisë së Brendshme. Mësohet se në listën e personave që do të pyeten në cilësinë e dëshmitarëve janë edhe disa biznesmenë të njohur të qytetit të Durrësit dhe persona me precedentë penalë, që janë gjykuar nga kjo gjykatë. Gjithashtu, listës së dëshmitarëve nuk i mungojnë edhe disa nga familjarët e të pandehurve, të cilët do të dëshmojnë para gjykatës për "veprat" e të afërmve të tyre që ndodhen prapa hekurave. Sipas kërkesës për gjykim, 16 të pandehurit e akuzuar si pjesëtarë të bandës së Durrësit janë drejtuar nga të arrestuarit Lulzim Berisha dhe Endrit Dokle, "të divorcuar" në vitin 2002 për t'u kthyer më pas në rivalët më të egër për njëri-tjetrin. Ndarja, sipas kërkesës për gjykim, si në të gjitha bandat erdhi për shkak të "prishjes së pazareve të trafikut".
***
"Lulzim Berisha dhe Klodjan Saliu ( aktualisht i vrarë) që nga viti 1997 e në vazhdim krijuan dhe drejtuan një organizatë kriminale në të cilën bënin pjesë të pandehurit: Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Dritan (Adriatik) Coli, Indrit Dokle si dhe shtetasit Ilir Xhunga e Arben Paja, aktualisht të vrarë"-thuhet në kërkesën për gjykim. Lulëzim Berisha, pas ndarjes së kësaj "bande" ka qenë katër herë nën shënjestrën e rivalëve të tij, të udhëhequr nga Endrit Dokle, personi që mori frerët e bandës së ndarë nga Lulzim Berisha, pas vrasjes së shokut të tij Klodian Salihu. Sipas prokurorisë, vrasjet nën emrin e bandës kanë filluar më 17 tetor të vitit 1998, aty rreth orës 18:30, kur i pandehuri Lulzim Berisha në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj, Adriatik Coli dhe Klodian Saliu dhe Ilir Xhunga (aktualisht të vrarë) kanë vrarë me arme zjarri Dritan Sallakun në qytetin bregdetar. Një seri e përgjakshme vrasjesh ndodhi më pas, ku fillimisht u eleminuan anëtarët e bandave rivale, e më pas, hakmarrja filloi brenda llojit. Atentati i fundit i anëtarëve të kësaj bande ndodhi në Tiranë në vitin 2004, kohë kur u arrestua Endrit Dokle.