Avokati: Zylfie Haklaj ka marrë garanci për azilin
Mbrojtësi ligjor i "Shotës" së Haklajve pohon se klientja e tij ka bërë pakt për vetëdorëzimin në Suedi
TIRANË- "Zylfie Haklaj është dorëzuar, vetëm atëherë kur ka marrë garancinë për pranimin e kërkesës së saj për azil politik në Suedi". Këtë fakt e bën me dije avokati i "Shotës" së Haklajve,Hasëf Hadëri. Në një prononcim për "Shekullin", Hadëri thotë se është në dijeni të procedurave që klientja e tij ka bërë për azil politik pranë autoriteteve të drejtësisë suedeze. "Ajo që unë di, është fakti që klientia ime po ndjek këto procedura. Më shumë sesa një arrestim, ai i dy ditëve më parëka qenë një dorëzim për ndjekjen e procedurave të azil- kërkimit",- thotë Hadëri. Madje, duket se ky ka qenë dhe qëllimi i vajtjes në Suedi të Zylfie Haklajt, rreth dy muaj më pare, kohë që përkon medhënien e azilit politik të vëllait të saj, Hamdi Haklajt, më 13 shkurt të këtij viti. Udhëtimi i sajdrejt Suedisë me pasaportë jugosllave është bërë vetëm atëherë kur autoritetet suedeze kanë refuzuar kërkesën e shtetit shqiptar, për ekstradimin e vëllait të saj, Hamdi Haklajt.
***
Sipas avokatitHadëri, pikërisht të njëjtën procedurë do të ndjekë edhe Zylfie Haklaj, për të cilën gjykata e rrethit ka vendosur dënimin e saj me 25 vjet heqje lirie. Burime të besueshme bëjnë të ditur se "Shota" ndodhej prej dy muajsh në Gotenburg të Suedisë, kuështë marrë me të gjitha procedurat për të plotësuar dokumentat e azil- kërkuesit. Një nga pretendimet mbi të cilën "Shota" ka argumentuar kërkesën e saj për azil është se procesi gjyqësor që është zhvilluar nëGjykatën e Tiranës, që sipas saj ka qenë i padrejtë dhe ka motive politike dhe hakmarrëse. Tashmë, përveç pretendimit të saj, Zylfies i duhet të bindë drejtësinë e vendit nordik, që mesa duket, është i vetmi kusht për dorëzimin e saj në policinë lokale e Gotenburgut. Por krejt të kundërtën thonë burime zyrtare të policisë. Sipas tyre, ka qenë një aksion i mirëfilltë,ku kanë marrë pjesë edhe forcat speciale suedeze në arrestimin e gruas, që pas vrasjes së bërë në qytetin e Tropojës u pagëzua me emrin "Shota".
***
Po sipas burimeve zyrtare, në qytetin e Gotenburgut ajo është identifikuar rreth një muaj më parë dhe është mbajtur nën mbikëqyrje nga agjentët e Interpol Tiranës. "Vishej si burrë, përdorte emra meshkujsh, por nuk ka mundur t'i shpëtojë oficerëve, të cilët dinin vendin e saktë ku strehohej ", - ka deklaruar policia, fill pas arrestimitnë mesdrekën e së mërkurës. E ndërsa deklaratat kundërshtojnë njëra- tjetrën, duket se Zylfie Haklaj do të ndjekë hapat e të vëllait, për të mos u kthyer në Shqipëri.E ndërsa në Suedi, Haklaj ka nisur procedurat e azilit politik, nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë kanë nisur procedurat e plotësimit të dokumentacionit për ekstradimin e Zylfije Haklajt nëShqipëri. Autoritetet shqiptare kanë afat 40 ditë për të plotësuar dosjen me materialet dhe vendimet që ndodhen në polici, në prokurori dhe në Ministrinë e Drejtësisë, për t'ia dërguar zyrtarisht palës suedeze nëpërmjet Ministrisë së Jashtme.Tropojania 45-vjeçare, e njohur si "Shota" u dënua me 25 vjet burg për vrasjen e dyfishtë të kryer për motive hasmërie. Njëri prej viktimave, Rasim Lumneshi, akuzohej nga familja e Haklajve si organizator dhe pjesëmarrës në vrasjen e njërit prej vëllezërve të Zylfies.