Parashikohet rënie e dollarit me 2.5%
18 prill—Barclays Capital parashikon një rënie të dollarit me 2.5% ndaj euros në tre muajt në vazhdim për shkak të ecurisë së çmimeve të naftës. Çmimet e larta të naftës bëjnë që të rriten importet e në SHBA, ndërkohë që Banka Qendrore Europiane për shkak të këtyre çmimeve të larta mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar, nga frika e inflacionit.
Banka Barclays Plc, banka e tretë më e madhe në Angli, parashikon që dollari të bjerë deri në 1.63 ndaj euros, nga 1.50 që ishte parashikimi i mëparshëm. Ndaj paundit monedha amerikane do të dobësohet deri në 2.05$ nga 1.97 që ishte më parë.
“Dollari amerikan është në një rreth vicioz”- shkruajtën ata. Rënia e dollarit shkakton çmime më të larta të naftës pasi vendet prodhuese të naftës rritin çmimin për të ruajtur fitimet e tyre. Dihet që nafta shitet në dollarë. Kjo çon në dollar edhe më të dobët pasi Banka Qendrore Europiane nuk po ndjek politikën e FED-it për lehtësim të kostos së euros”.
Monedha amerikane është tregtuar për 1.5898 ndaj euros nga 1.5908 që këmbehej ditën e djeshme. Ndërkohë që këtë javë dollari ka arritur nivelin 1.5983 ndaj euros, niveli më i ulët që kur Euro doli në qarkullim në vitin 1999.
Kundrejt paundit, ajo është tregtuar për 1.9896, nga 1.9912 që këmbehej ditën e djeshme.
Dollari ka rënë me rreth 8.2% ndaj euros dhe yenit japonez në vitin 2008, ndërkohë që çmimi i naftës arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohëve prej 115.54 dollarë për barrel. Ndaj paundit ka rënë me 0.2%. FED ka ndërmarrë vendime për uljen e normës bazë të interesit të dollarit me qëllim largimin e ekonomisë nga recesioni. Kjo ka reduktuar edhe kërkesën për asete që shiten në dollarë.
Dollari ka rënë me 12% ndaj euros që prej muajit Shtator, kohë kur FED nisi uljen e normës bazë të interesit nga 3% në 2.25%. Zyrtarë të Bankës Qendrore Europiane kanë sinjalizuar se nuk do të bëjnë ulje të normës bazë të interesit të euros, nga niveli 4% pasi sipas tyre norma më e ulët mund të përshpejtojë inflacionin.
Rënia në tregun e shtëpive të banimit në Angli, ka detyruar Bankën e Anglisë të reduktojë normën bazë të interesit të paundit deri në 4% nga 5.5% që ishte. Euro ka arritur nivelin 0.80985 pence këtë javë, më i larti i të gjitha kohëve.
Barclays Capital parashikon që euro të arrijë në 79 pencë në tre muaj, krahasuar me parashikimin e mëparshëm prej 76 pencë.