E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi zhvillon takime pune me Ambasadorin amerikan, Arvizu si dhe me Ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Volfart

18 maj 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, zhvilloi sot paradite dy takime të veçanta pune: me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu si dhe një tjetër me Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Eugen Volfart, me të cilët diskutoi rreth situatës më të fundit në vend.

Ambasadori Arvizu i shprehu Presidentit Topi gjithë mbështetjen lidhur me qëndrimet dhe apelet e tij institucionale dhe vuri në dukje se në këto kushte, nevojitet mbi të gjitha respektimi i shtetit të së drejtës, në funksion të arritjes së standardeve demokratike dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura e kushtetuese që ato të kenë mundësi të përmbushin detyrimet e tyre ligjore.

Pasi ndau me Ambasadorin amerikan Arvizu dhe atë të OSBE-së, Volfart shqetësimin lidhur me situatën aktuale, të cilën po e ndjek me shumë vëmendje, Kreu i Shtetit shqiptar, apeloi për vetëpërmbajtje, qetësi, maturi dhe ruajtje të rendit public dhe theksoi domosdoshmërinë se: “në këto çaste, duhet që palët politike të respektojnë institucionet, dhe vetë institucionet e pavarura duhet të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën! Shqipëria ka legjislacion, ka përvojë në trajtimin e çështjeve zgjedhore, ka të gjithë mekanizmat ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kështu që vetë institucionet përgjegjëse kanë rastin dhe detyrimin të dëshmojnë pavarësi, integritet dhe profesionalizëm në interes të qytetarëve, publikut dhe vendit.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›