“Presidenti, çështje e brendshme - BE pret reformat e integrimit”
Ambasadorja franceze, Christine Moro
Ambasadorja e Republikës së Francës në vendin tonë, Christine Moro deklaroi dje se
procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë në korrik të vitit 2012 nuk përbën një proces të mirëfilltë për rekomandime ndërkombëtare dhe se është në dorën e palëve politike shqiptare.
Sipas saj, është e vërtetë që funksionet e kreut të shtetit janë të pamohueshme, por gjithsesi kjo është pjesë e politikës së brendshme. “Mund të them se është vërtetë e pamohueshme se funksionet e Presidentit të Republikës janë të rëndësishme. Por për sa i përket çështjes se cili duhet të jetë kandidat ose cilin person duhet të mbështesin partitë, këto janë çështje që lidhen me politikën e brendshme të Shqipërisë dhe unë nuk kam asnjë mendim për të shprehur në këtë drejtim”, u shpreh diplomatja franceze në Tiranë, Christine Moro.
Ajo i referohet dhe marrëveshjes konsensuale mes mazhorancës dhe opozitës në parlament për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, duke deklaruar se Brukseli pret rezultate konkrete në përmbushjen e 12 rekomandimeve.
“Pas raportit të Komisionit të 12 tetorit 2011, Shqipëria e ka kuptuar se e ka vetë në dorë avancimin e dosjes së saj dhe ajo ka filluar të punojë në drejtimin e duhur. Duhet që të arrijë rezultate në dymbëdhjetë fushat e ‘prioriteteve kyçe’, duhet që Komisioni dhe shtetet anëtare të mund të konstatojnë vazhdimësinë e përpjekjeve të Shqipërisë. Në parim, Komisioni i shqyrton përparimet e bëra nga kandidatët dhe kandidatët potencialë në vjeshtën e çdo viti. Mbi këtë bazë, ai i propozon Këshillit Europian kalimin ose jo në etapën vijuese. Dymbëdhjetë prioritetet kyçe nuk janë rekomandime të përgjithshme, por janë rezultat i disa analizave shumë të sakta, si për sa i përket dokumenteve të Komisionit, ashtu edhe gjatë punimeve për shkëmbimin e eksperiencës e për këshillim, të bëra nga vendet anëtare. Në shumë fusha Shqipëria ka miratuar ligjet e nevojshme ose planet sektoriale të veprimit, por problemi qëndron tek moszbatimi i mjaftueshëm i tyre. Natyrisht që zbatimi i dymbëdhjetë prioriteteve kyçe është para së gjithash përgjegjësi e qeverisë, por ky zbatim ka të bëjë edhe me Parlamentin. Ai nuk ka të bëjë vetëm me një parti, por me të gjitha partitë politike dhe me të gjithë qytetarët. Fatmirësisht puna që pritej të bëhej, ka filluar më 15 nëntor. Nuk ka më kohë për të humbur, sepse siç e përmenda edhe më lart, priten rezultate konkrete, rezultate që duhet të shkojnë në një drejtim të caktuar: t’i tregohet Komisionit dhe vendeve anëtare se Shqipëria është e vendosur të ndërmarrë shpejt ndryshimet e nevojshme dhe se nuk do të ketë as ndalesa, as pushim dhe as kthim prapa”, tha më tej, ambasadorja e Francës në Tiranë, Christine Moro.