E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të vetëm në zgjedhje, nëse PS-ja s’përmbush kërkesat tona për Kodin Zgjedhor”

06-01-2012 / Gazeta 55

Deklarata/Paskal Milo, kreu i PDS-së

Poli i ri politik brenda së majtës që pritet të zyrtarizohet me një federatë, do të dalë më vete në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës në rast se nuk korrigjohet sistemi zgjedhor. Vendimi do të qartësohet menjëherë nga përfundimi i reformës zgjedhore.
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo u shpreh dje se krijimi i politik politik brenda së majtës, do jetë si kundërpërgjigje nëse ligji i ri elektoral nuk favorizon partitë e vogla. “Në rast se ligji nuk do të jetë i favorshëm për ne, nuk do të favorizojë koalicionet atëherë ne do të shohim një formulë tjetër bashkëpunimi në vijim të atyre çfarë kemi deklaruar deri tani. Besoj se duhet të shikojmë me kujdes ndërtimin e këtij poli, i cili nuk do të bëhet vetëm nga tri partitë tona, por besoj se do ti shtohen dhe parti të tjera politike, të cilat do të maksimalizojnë rezultatin tonë në një rast kur ne nuk do të kemi hapësirat e nevojshme për të dalë si subjekte politike më vete”, u shpreh Milo.
Milo thotë se PS nuk duhet të tërhiqet nga angazhimi i saj publik për të korrektuar sistemin proporcional rajonal për zgjedhjet e 2013-ës. Nëse kjo ndodh pasoja do të bjerë së pari mbi rezultatin e PS në zgjedhje. “Sepse PS ka nevojë për aleatët, ka nevojë që të shkojmë bashkë në zgjedhje në këtë sfidë të rëndësishme. Unë besoj se më tepër se kurrë Partia Socialiste duhet të mbajë qëndrime të prera dhe të qarta sepse këtu nuk është thjesht fakti i partive aleatë të PS por është në lojë fati i zgjedhjeve dhe i vetë  PS dhe fati i opozitës në zgjedhjet e ardhshme”, theksoi Milo.
Kreu i PDS-së vuri në dukje gjithashtu se PS duhet të heqë dorë nga aleancat e fshehta me PD, dhe të mbështesë së pari aleatët e saj strategjik. Nëse edhe në këto zgjedhje partia më e madhe opozitare nuk e kupton këtë, Milo thotë se pasojat janë të pritshme në rezultatin negativ për opozitën. 
Komisionerë dhe njerëz të sistemit të drejtë – garancinë e procesit e ofron një administratë e pavarur/ Në pritje që Komisioni i Reformës Zgjedhore të vendosë përfundimisht se çfarë formati duhet të ketë KQZ, Kristaq Kume propozon një variant të tijin. Formula e ish kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ruan ndarjen e administratës zgjedhore në 3 nivele si dhe numrin 7 të anëtarëve të KQZ. Por sipas tij, shumicën në këtë institucion duhet ta përbëjnë njerëzit e drejtësisë. “Komisioni Qendror i zgjedhjeve mund të quhet autoriteti qendror i formuar me 7 anëtarë të zgjedhur nga Parlamenti i Shqipërisë, tre prej tyre nga trupa gjyqësore. Një përfaqësues i organizatave të shoqërisë civile që merren me problemet e të drejtave të njeriut. Një tjetër nga bota akademike. Një përfaqësues i medias dhe së fundi, përfaqësues i organizatave të grave”, tha Kume.
E tërë administrate zgjedhore sipas Kumes duhet të emërtohet autoriteti i pavarur i administratës zgjedhore. dhe asnjë prej anëtarëve të saj të çdo niveli, nuk duhet të ketë një teserë partiake. “Në nivelin e dytë autoriteti mund të ketë pesë anëtarë nga të cilët me domosdo për mendimin tim, të paktën 2 prej tyre duhet të jenë jurist. Në nivelin e qendrës së votimit me tre anëtarë, grupet e numërimit mund të jenë nga mësuesit, financierë”, tha Kume. Këtë formulë ai do t’i propozojë komisionit të reformës zgjedhore, i cili pritet të ri-mblidhet sërish në fund të janarit. Ndër propozimet e tij është dhe kufizimi i aksesit të përfaqësuesve politikë, në qendrat e votimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›