Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së në Shqipëri
01/02/2010 Zgjidhja e ngërçit, vizitë e ndërkombëtarëve në muajin shkurt
Delegacioni synon të ulë në tryezë palët
Këshilli i Evropës nuk është mjaftuar vetëm me miratimin e rezolutës së dy raporterëve të tij, Jako Laakso dhe David Uillshire për krizën politike, por do të jetë vetë prezent në Shqipëri. Komiteti presidencial i Asamblesë, në bashkëpunim me Komitetin Vëzhgues të raportuesve, do të vizitojnë në fillim të shkurtit Shqipërinë, për të ndihmuar në rivendosjen e dialogut politik. Sipas faqes zyrtare të Këshillit të Evropës, për të negociuar zgjedhjen e ngërçit, pjesë në delegacionin e organizmit ndërkombëtar do të jetë Presidenti i Asamblesë Parlamentare, Mevlyd Cavoshugu, dhe sekretari i përgjithshëm, Thorbjorn Jagland. Prania e drejtuesve më të lartë të këtij institucioni tregon qartë rëndësinë që faktori ndërkombëtar po i kushton situatës politike në vendin tonë. “Qëllimi i vizitës është negocimi për të zgjidhur krizën, por kryesisht për të ndihmuar Presidentin në përpjekjet dhe rolin e tij si ndërmjetësues”, thuhet në njoftimin zyrtar. Në këtë mënyrë qëllimi i vizitës nuk konsiston thjesht organizimin e një tryeze për zhvillimin e bisedimeve mes krerëve partiakë, por edhe t’i bindë ata për të marrë pjesë në të. Në të kundërt, siç thuhet në rezolutën e miratuar, situata rrezikon të penalizojë vendin në proceset integruese. Në të njëjtin njoftim përmenden dy sugjerimet kryesore të rezolutës: kthimi i opozitës në Parlament dhe ngritja e një komisioni hetimor për zgjedhjet. Që prej muajit shtator, kohë kur opozita vendosi braktisjen e punimeve të Kuvendit, ndërkombëtarët janë shprehur të shqetësuar për situatën politike në vend dhe në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë thirrje për zgjidhje të situatës. Apeli për lënien e bojkotit dhe dhënia e leksionit se “debati politik zhvillohet në parlament” është mëshuar gjatë këtyre muajve jo vetëm nga ambasadorët në Tiranë, por nga të gjithë ndërkombëtarët e prononcuar për këtë çështje.
Gatishmëria e Presidentit
Një ditë pas miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është treguar i gatshëm të luajë rolin e negociatorit mes palëve për zgjidhjen e situatës kritike politike në vend. Në takimin që ai zhvilloi me përfaqësuesin e KE-së, Luixhi Bruza, dhe ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobio, kreu i shtetit shqiptar deklaroi se mirëpret të gjitha përpjekjet serioze për të kontribuar në përmirësimin e klimës politike dhe në rivendosjen e dialogut parlamentar. “Arritja e qëllimit të përbashkët, integrimi i Shqipërisë në BE kërkon nga të gjithë një angazhim serioz dhe funksionim të plotë të të gjitha institucioneve”, tha Topi.