Diskutim për marrjen në kontroll të shoqërive publike
01/02/2010 Komisioni për Ekonominë
Diskutohet sot në Komisioni për Ekonominë dhe Financat projektligji “Për marrjen në kontroll të shoqërive publike”. Ky projektligj ka si objekt përcaktimin e rregullave që lidhen me kushtet dhe procedurat për ofertat publike të blerjes së titujve të emetuar nga një shoqëri aksionare. Projektligji rregullon në mënyrë më të saktë kushtet dhe procedurat për ofertat publike, duke kërkuar që këto oferta të jenë transparente, duke u monitoruar dhe u mbikëqyrur si proces nga ana e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Pak kohë më parë, duke shqyrtuar këtë projektligj, Autoriteti i Konkurrencës është shprehur se mund të ketë një përqendrim në treg, si pasojë e përfitimit të kontrollit që parashikohet të ndodhë si rezultat i ofertave publike të titujve. Komisioni i Konkurrencës i rekomandoi Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që të shtojë një dispozitë. “Kur nga përftimi i kontrollit që parashikohet të ndodhë si rezultat i publikimit të dokumentit të ofertës, mund të krijohet një përqendrim në kuptim të nenit 12, pika 1, të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, ky përqendrim duhet të njoftohet në Autoritetin e Konkurrencës, për të marrë autorizim, sipas dispozitave përkatëse të këtij ligji”, – saktëson dispozita shtesë.