E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundja shkaktoi vdekjen e pacientes

01/02/2010  Dashi: ekspertiza paraprake tregon se kemi të bëjmë me një sëmundje të papajtueshme me jetën
Pezullohen dy mjekët deri në daljen e raportit të plotë nga ekspertiza mjekoligjore
Vdekja e pacientes 58-vjeçare dy ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk është shkaktuar nga mungesa e dhënies së ndihmës mjekësore, por nga komplikacionet e shkaktuara prej sëmundjes. Në raportin paraprak të deklaruar nga drejtuesit e QSUT-së, pohohet se pacientes i është dhënë e gjithë ndihma mjekësore në bërjen e vizitave dhe ekzamimimeve specifike në kohë, por kjo nuk është shoqëruar me marrjen e rezultateve pozitive. Kështu, 58-vjeçarja Gerta Gixhari ka humbur jetën nga tromboza në venën që furnizon zorrët me gjak. Kjo, pasi agresiviteti i sëmundjes ka arritur të mposhtë efektin e ilaçeve dhe ndihmën mjekësore të dhënë. Përkundrejt këtij rasti, i cili është denoncuar në organet policore nga të afërmit e viktimës, pritet të publikohet raporti i plotë i ekspertizës mjeko-ligjore, i cili do të hedhë dritë mbi shkaqet e vdekjes së gruas. Pas nxjerrjes së këtij rezultati do të jenë organet e prokurorisë së Tiranës, që do të merren me ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore.
Raportimi
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe kreu i QSUT-së, Ilir Dashi, që ka pohuar se drejtoria e spitalit ka organizuar menjëherë një takim me stafin e saj dhe mjekët, ku u analizuan rrethanat dhe ecuria e trajtimit në kohën që pacientja ndodhej në shërbimin e urgjencës. Dashi ka pohuar se nga analiza doli se e sëmura është vizituar disa herë nga mjekët e rojës, është konsultuar me urologët, janë aplikuar medikamentet e gjykuara nga mjekët, janë bërë ekzaminimet e nevojshme, si: ekografi, radiografi, në lidhje me komplikacionet e provuara tek ajo. “Pas verifikimit të këtyre treguesve, nga të dhënat paraprake të ekspertizës rezulton se kemi të bëjmë me një patologji të papajtueshme me jetën”, ka pohuar Dashi. Kjo do të thotë se pavarësisht kujdesit të dhënë, ka qenë e pamundur që të shpëtohej jeta e pacientes, për shkak të rëndimit dhe pamundësisë së organizmit të saj për të luftuar me pasojat e sëmundjes. Megjithatë, lidhur me këtë situatë përfundimet do të dalin të plota pas hartimit të raportit nga organet e ekspertizës ligjore. Derisa këto rezultatet të bëhen publike, është marrë vendimi për ndëshkimin e dy punonjësve, që janë kujdesur për shëndetin e pacientes. Aktualisht 2 mjekët janë të pezulluar nga detyra deri në daljen e rezultateve përfundimtare të ekspertizës mjeko-ligjore.
Denoncimi
Menjëherë pas marrjes së lajmit për humbjen, të afërmit e viktimës u janë drejtuar organeve policore, ku kanë denoncuar bluzat e bardha për neglizhencën e treguar gjatë trajtimit të së afërmes së tyre. Sipas deklaratave të bëra nga familjarët, ata janë paraqitur në spital, ku janë pritur nga mjeku rojë dhe, pasi kanë marrë mjekimin (dy injeksione qetësuese), janë larguar së bashku me viktimën në shtëpi. Ndërkohë gjendja e pacientes është rënduar me kalimin e orëve, çka i ka detyruar ata që të rikthehen në spital në orët e para të mëngjesit, për të bërë diagnostikime të tjera të njëpasnjëshme. Familjarët kanë pohuar se pas disa orësh në sallat e urgjencës, mjekët kanë dalë duke u komunikuar atyre lajmin se pacientja kishte ndërruar jetë, pasi ishte shtruar në sallën e reanimacionit.
Vizitat
Në raportin e saj lidhur me këtë rast, QSUT-ja deklaron se “nga analiza doli se e sëmura është vizituar disa herë nga mjekët e rojës, është konsultuar me urologët, janë aplikuar medikamentet e gjykuara, janë bërë ekzaminimet e nevojshme si ekografi, radiografi. Por sipas të dhënave paraprake të ekspertizës, rezulton se kemi të bëjmë me një patologji të papajtueshme me jetën.
Pezullimi
Denoncimi i bërë nga të afërmit e viktimës është shoqëruar me marrjen e masave kundrejt dy punonjësve të shëndetësisë, të cilët janë pezulluar menjëherë nga puna. Sipas urdhrit të dhënë nga kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, Petrit Vasili, të dy mjekët: Gj. A dhe D. B, do të pezullohen nga puna deri në zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje nga organet policore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›