E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i Birmanisë takoi kryengritësit

Kryengritësit që po luftojnë kundër qeverisë në Birmani kanë konfirmuar për BBC se liderët e tyre janë takuar me presidentin e vendit, Thein Sein.

Ky është takimi i parë që zhvillohet mes dy palëve, në një nga vendet me konfliktin civil më të gjatë në botë. Kryengritësit e fraksionit Karen kanë luftuar për pavarësi që 60 vjet.

Muajin e kaluar një nga liderët e tyre u lirua nga autoritetet vendase, disa ditë pasi i ishte dhënë një dënim me 20 vjet burg për tradhti. Një zëdhënës i kryengritësve i cilësoi bisedimet me presidentin si “të ngrohta dhe të këndshme”.

Bisedimet janë pjesë e një përpjekjeje të autoriteteve për të bërë marrëveshje me grupet e ndryshme separatiste në vend.

Deri tani, palët kanë nënshkruar një seri marrëveshjesh për armëpushime të përkohshme. Mijëra persona janë zhvendosur nga luftimet disa-dekadëshe mes palëve, shumë prej të cilëve janë strehuar në kampe refugjatësh përgjatë kufirit me Tajlandën.

Së fundmi në Birmani u mbajtën zgjedhjet parlamentare, nga të cilat partia e lideres së opozitës, Aung San Suu Kyi fitoi, 44 mandate.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›