E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vatra: Institucionet duhen respektuar dhe jo të rrethohen e të provokohen

23-05-2011 / Gazeta 55

Në një deklaratë për zgjedhjet në Shqipëri të bërë nga Federata Panshqiptare Vatra me qendër në Nju Jork, thuhet se rezultati i ngushtë vuri në provë institucionet shqiptare.
Institucionet duhen respektuar dhe jo të rrethohen e të provokohen, thotë Vatra. Respektimi i Kushtetutës dhe i procesit zgjedhor, thuhet në deklaratë, do ta zgjidhë situatën; çdo rrugë tjetër e paligjshme do të çojë në acarim dhe do të rrezikojë daljen e vendit jashtë kontrollit. Ashtu si pjesa më e madhe e shqiptarëve në emigracion, thotë Vatra, kemi mbetur të zhgënjyer nga klasa politike. Qytetarët e fituan betejën zgjedhore deri në mbylljen e votimeve, ndërsa më pas nisi zhgënjimi nga militantizmi partiak dhe acarimi i klimës zgjedhore, thuhet në deklaratën e organizatës Vatra, e cila u kërkon politikanëve t’i thërrasin arsyes dhe të ndalin anarkinë.

Deklaratë e Federatës Pan-Shqiptare në Amerikë “VATRA”
“Të dashur  bashkëkombës! Po ju drejtohemi në këto çaste të vështirë, që po kalon Shqipëria jonë e dashur, me lutjen, që të tregoheni të përmbajtur dhe të mendoni më shumë për interesat e Kombit se sa ato të partive politike. Vetë rezultati i ngushtë për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës tregon se gjysma e qytetarëve duan të qeverisen nga njëri kandidat e gjysma tjetër nga kandidati tjetër, dikton një vetëpërmbajtje me ndërgjegje të lartë kombëtare,  dhe ndjekjen e rrugës ligjore për zgjidhjen e problemit. Ky rezultat i ngushtë vuri në provë institucionet shqiptare, të cilat duhen respektuar dhe jo të rrethohen e të provokohen. Respektimi i Kushtetutës dhe i procesit zgjedhor do ta zgjidhë situatën; çdo rrugë tjetër e paligjshme do të çojë në acarim dhe do të rrezikojë daljen e vendit jashtë kontrollit. Federata Vatra i ka ndjekur këto zgjedhje me vëmendje të veçantë, duke shpresuar se demokracia do ta fitonte këtë betejë. Por fatkeqësisht, vatranët, ashtu si pjesa më e madhe e shqiptarëve në emigracion, mbetën të zhgënjyer nga klasa politike, e cila vazhdon të qëndrojë një hap mbrapa qytetarëve, të cilët e fituan betejën zgjedhore deri në mbylljen e votimeve, ndërsa më pas nisi zhgënjimi nga militantizmi partiak dhe acarimi i pas klimës zgjedhore. Tabloja mjerane që sillnin ekranet edhe këndej Atlantikut, ku deputetët zvarriteshin nëpër mure e hekurat e rrethimeve të vendnumërimeve të votave, kërcimi mbi shpinat e kokat e policëve, akuzat e ndërsjella, sharjet, kërcënimet, krijoi tensionin, zgjati procesin dhe paragjykoi rezultatin.
Vatrën e shqetësojnë tensioni dhe dhuna e këtyre ditëve nëpër Shqipëri, duke
paralajmëruar një ’97-të të dytë, ç’ka do të ishte fatale për Shqipërinë. Bllokimi i rrugëve Kombëtare, po na kthen 20 vite mbrapa, ndërkohë që  synohet integrimi Europian. Me keqardhje konstatojmë se, me veprimet e veta me ngarkesa të thella partiake, me dyshimin e madh tek pala kundërshtare, me retorikat agresive emocionale, me thirrje për kryengritje, klasa politike po e hedh vendin në kaos. Politikanë, kujdes se nesër do t’ju gjykojë  historia për dëmin e  madh që po i shkaktoni, jo vetëm Shqipërisë, por të gjithë Kombit shqiptar. Ju lutemi, ndaleni zemërimin e qytetarëve, mos e ushqeni më tutje militantizmin e turmave sepse Shqipëria është më e shtrenjtë se partitë. Cilës parti i duhet një Shqipëri në anarki, një Shqipëri e rrënuar dhe në kaos? Një Shqipëri e tillë do
t’u duhej vetëm armiqve të kombit tanë. Mosardhja e zotit Barroso në Shqipëri tregon se klasa politike e humbi një rast të artë për të marrë një ftesë si vend kandidat për Bashkimin Europian. Ajo që ikën nuk kthehet më pas, por në këto kushte rëndësi ka mosthellimi i krizës, pasojat e së cilës bien mbi qytetarët. Klasa politike në këto 20 vite tranzicion të pakuptimtë, nuk ka qenë në gjendje që të zgjidhë asnjë situatë të vështirë, pa arbitrimin e të huajve. Edhe në këto zgjidhje ambasadorët u përpoqën që të ishin arbitra, por sërish problemi ka mbetur pezull. Mendojmë se kjo situate e gjen zgjidhjen duke iu referuar ligjeve, institucioneve, pavarësisht dobësisë së tyre, si dhe respektimit të
shtetit ligjor. Politikanë që keni në dorë fatet e atdheut tonë, ju lutemi thirrni arsyes dhe
ndalni anarkinë. Shqipëria ka nevojë për demokraci, jo për anarki.
Shpëtojeni Shqipërinë se është në duart tuaja!”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›