Presidenti i Komisionit te Jashtem te Parlamentit Italian Umberto Ranieri vlerësoi arritjet e qeverisë shqiptare drejt integrimit
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në zyrën e tij, Presidentin e Komisionit përÇështjet e Jashtme në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian, zotin Umberto Ranieri.
Presidenti i Komisionit të Jashtëm Ranieri vleresoi hapat që ka ndërrmarrë Shqipëria në procesin e integrimit. Zoti Ranieri ritheksoi qëndrimin e Italisë si një nga mbështetëset e para të integrimit të Shqipërisë në Nato. Ai vlerësoi rolin që forcat e armatosura shqiptare luajnë në Afganistan si dhe bashkëpunimin e ardhshëm në misionin paqeruajtës në Liban.
Presidenti i Komisionit të Jashtëm Ranieri vlerësoi arritjet e rëndësishme të qeverisë në fushat e bashkëpunimit ligjor, kundër krimit të organizuar, trafiqeve njerëzore dhe të lëndëve narkotike. Ai përshëndeti projektin e një marrëveshje dypalëshe,i cili do të lehtësojë ekstradimin e personave të kërkuar nga ligji. Zoti Ranieri i shprehu mirënjohjen Kryeministrit për impenjimin e tij maksimal në luftën kundër informalitetit dhe krimit ekonomik.
Presidenti Ranieri vlerësoi edhe rolin e emigrantëve shqiptarë në zhvillimin e shoqërisë italiane dhe sidomos imazhin pozitiv që 10 mijë studentët shqiptarë kanë krijuar universiteteve italiane.
Kryeministri Berisha theksoi në takim, se qëllimi kryesor i qeverisë shqiptare mbetet integrimi sa më i shpejtë në Nato dhe në BE.
Kryeministri u shpreh se Samiti i Rigës ishte një shpresë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Nato. Në këtë kuadër, kryeministri theksoi se qeveria shqiptare ka bërë hapa konkretë në zbatimin e standardeve të kërkuara nga Nato, duke u angazhuar në një reformë të thellë të Forcave të Armatosura, që do të synojnë një ushtri të vogël, por profesioniste, të pajisuar me teknologji të standarteve të kërkuara nga Nato.
Duke vlerësuar bashkëpunimin në fushën ekonomike, kryeministri theksoi se interesi i investitorëve italianë për Shqipërinë, është rritur në mënyrë të ndjeshme kohët e fundit. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u ndal në disa projekte të rëndësishme energjitike dhe të infrastructures, të cilat do të thellojnë bashkëpunimin midis dy vendeve.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Ranieri diskutuan lidhur me cështjen e Kosovës. Duke shprehur mirënjohjen për rolin që ka luajtur Italia në zgjidhjen e çështjes së statusit dhe qëndrimin e saj në grupin e kontaktit, Kryeministri Berisha theksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare, në mbështetje të planit të Ahtisarit, për një Kosovë të pavarur, nën mbikqyrjen e komunitetit ndërkombëtar. Të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se zgjidhja e çështjes së Kosovës brenda kornizës së planit Ahtisari, do të garantojë stabilitetin dhe paqen në Ballkan.
Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Komisionit të Jashtëm Ranieri shprehën kënaqësinë e tyre për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes dy vendeve. Kryeministri Berisha e falenderoi Zotin Ranieri për ndihmesën dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në kuadrin politik, ekonomik, ushtarak dhe të reformave dhe shprehu besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë i tillë edhe në të ardhmen.