E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Reformat kanë rritur në shkallë shumë të madhe besueshmërinë e investitorëve për Shqipërinë

Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se reformat e ndërmarra dhe lufta kundër informalitetit kanë rritur në shkallë shumë të madhe besueshmërinë e investitorëve për Shqipërinë.

Kryeministri informoi deputetët e grupit parlamentar rreth bisedimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar për këto reforma, duke u shprehur se qeveria dhe FMN ndajnë të njëjtin mendim se "Shqipëria po shkëputet drejt një zhvillimi ekonomik të pakrahasueshëm dhe kjo përbën një lajm shumë të mirë për çdo qytetar". Në këtë kontekst, Kryeministri përmendi rritjen e eksporteve në vitin 2006 me 20 %, krahasuar me vitin 2005, ndërkohë që katër mujori i parë i këtij viti ka sjellë pothuajse dyfishimin e tyre.

Gjithashtu, Kryeministri theksoi rritjen e ritmeve të kreditit dhe interesimin e madh të investitorëve të huaj për projekte të mëdha në fushën e energjisë, por edhe ne fusha të tjera.

Duke u ndalur në luftën kundër informalitetit, Kryeministri u shpreh se vendimi i fundit i qeverisë për të nxjerrë në dritë rrogat është mirëpritur gjerësisht nga biznesi. Po ashtu, qeveria po merr vendimin për taksën e sheshtë e cila është absolutisht në interes të biznesit. Nga ana tjetër, qeveria po përgatitet të mbrojë plotësisht punonjësit me rroga të ulëta, duke siguruar se kjo taksë nuk do të rëndojë mbi ta.

Lufta ndaj informalitetit, nënvizoi Kryeministri, "është bërë një kërkesë jetike për prestigjin e vendit, për zhvillimin e tij, për konsolidimin e ekonomisë së tregut".

Më tej, në fjalën e tij Kryeministri bëri këto komente:

"Po shkojmë drejt finalizimit të marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ajo për të cilën dua t'ju informoj është se FMN dhe qeveria ndajnë të njëjtin mendim se Shqipëria po shkëputet drejt një zhvillimi ekonomik të pakrahasueshëm. Kjo përbën lajmin më të mirë për çdo qytetar. Dua t'ju informoj se këto 4 muaj eksportet pothuajse po dyfishohen. Eksporti është treguesi më cilësor i një zhvillimi ekonomik, ai dëshmon prodhim, punësim, cilësi, besim, fuqi gare. Asgjë më shumë se eksporti nuk dëshmon hovin e zhvillimit të një vendi. Viti 2006, krahasuar me vitin 2005 kishte një rritje 20 përqind, kurse duke krahasuar 4 muajt e parë të këtij viti me 4 muajt e parë të vitit që shkoi, pothuajse vihet re një dyfishim. E vërteta është se edhe sektorë të tërë, siç janë tekstilet, etj, po ecin me shpejtësi.

Me shpejtësi po rriten ritmet e kreditit, por i jashtëzakonshëm është interesi i investitorëve të huaj. Mund t'ju them se në një hark kohor dymujor, vetëm në fushën e energjisë janë 3 vepra madhore energjetike me të cilat finalizohen kontratat. Është projekti i kaskadës së Devollit që parashikon 3 hidrocentrale me 50 kilometra tunele, një nga projektet më moderne që mund të jetë zbatuar. Kompania që ka projektuar ka shfrytëzuar pjerrësinë e lumit për të ndërtuar tunelet, një projekt që shkon të paktën 700 mijë euro.

Projekti i dytë i madh është TEC-i i Fierit, të cilin ne vendosëm për ta nxjerrë në tender, si territor, me një euro. Janë disa kompani të mëdha dhe serioze të rajonit dhe të botës që kanë shfaqur interes të madh për të investuar në të. Po kështu, po ecet me shpejtësi drejt projekteve të tjera.

Nesër, ne firmosim kontratën e re me "Deutche Bank" dhe kompanine italiane "Begeti" për Kalivaçin, një projekt i zvarritur në 10 vitet e fundit, por që tani ka mbështetjen e "Deutche Bank", banka më e madhe gjermane. Negociatat janë zhvilluar pa ndërprerje gjatë gjithë këtyre javëve dhe nesër është ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes.

Unë përmenda disa, por këto dhe shumë të tjera kanë rritur në shkallë shumë të madhe besueshmërinë e investitorëve për Shqipërinë. Këto kanë në themel reformat që po ndërmarrim ne, luftën kundër informalitetit. Kjo luftë është bërë një kërkesë jetike për prestigjin e vendit, për zhvillimin e tij, për konsolidimin e ekonomisë së tregut. Nëse studion me vëmendje treguesit e ekonomisë në Shqipëri, aty sheh se vetëm një është armiku i tyre, informaliteti. Ndaj ne jemi angazhuar në këtë betejë, në një bashkëpunim të ngushtë me biznesin, me median dhe me të gjithë faktorët, duke ofruar gjithashtu paketën më të ulët fiskale që ka ndonjë vend në Europë.

Vendimi i fundit i qeverisë për të nxjerrë në dritë rrogat është mirëpritur gjerësisht nga biznesi. Më lejoni, zotërinj deputetë, t'ju sqaroj dy gjëra.

Së pari, me këtë vendim jo vetëm që nuk është rritur rroga minimale, por është modifikuar vendimi i para 4 muajve i cili kishte përcaktuar rrogën minimale nga 180 në 220 mijë lekë. Me kërkesën e biznesmenëve, në mirëkuptim me ta, kjo rrogë u zbrit nga 140 deri në 170 mije lekë të vjetra.

Së dyti, qeveria po vendos taksën e sheshtë, taksa e interesit absolut për biznesin. Por qeveria po përgatitet të mbrojë plotësisht punonjësit me rroga të ulëta. Unë dua t'i siguroj punonjësit me rroga të ulëta se kjo taksë nuk do të rëndojë mbi ta. Ajo do të vendoset, por ne po përpunojmë ndërhyrje të tjera, ku 10 përqindëshi t'u merret atyre që ka arsye për t'u marrë dhe jo punonjësve me rroga të ulëta. Në këtë mënyrë, ne edhe inkurajojmë më tej prodhimin, punësimin. Kjo nismë është pritur shkëlqyer në tërësi.

Pra, bashkërisht po vendosim të dalim në dritë. Duhet të jemi realistë se efekti i vendimit mbi veprimtarinë e afaristëve e ka zero efektin, sepse është shpenzim i zbritshëm dhe atyre nuk do u merret tatim fitimi, në një kohë kur që të dyja po barazohen.

Le të flasim hapur, kemi 600 mijë pensionistë dhe invalidë. Cdo punonjës shtetëror kontribuon për 1.8 prej tyre, ndërsa në sektori privat që ka të njëjtin numër punonjësish, cdo punonjës kontribuon për 1 pensionist, ndërkohë që sektori privat krijon 80 përqind të të ardhurave. Pra, kjo nismë është pritur jashtëzakonisht mirë.

Ne shumë shpejt do të takohemi me biznesin, do të vendosim që të gjitha borderotë të funksionojnë nëpërmjet bankave. Një vend me një sistem të zhvilluar bankar duhet të përfitojë nga të gjitha produktet që ofrojnë bankat.

Sapo u ndava nga një takim me një grup ekspertësh, të cilët më thanë se qeveria po vepron mirë, sepse ky është i vetmi vend që mund të gjesh borgjezë me kadillak, por me rrogë proletari".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›