E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i ardhshëm, s'do të jetë as anëtar partie

Nga Express më 27 shtator 2011 në ora 09:07

Zgjedhja e presidentit të Republikës nga populli është një ndryshim kushtetues shumë i domosdoshëm, sepse do të krijojë stabilitet, i cili do të përfaqësojë unitetin qytetar dhe kombëtar.

Kështu ka vlerësuar në një intervistë për “Kohën Ditore”, deputeti Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit Parlamentar për amendamentimin e Kushtetutës së vendit.

Duke folur për ndryshimet kushtetuese në pjesët ku ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Republikës, Bajrami ka treguar se presidenti i ardhshëm duhet t’i revokojë të gjitha postet politike në parti.

Ndërsa për të kandiduar për këtë post ai duhet t’i mbledhë edhe 15 mijë nënshkrime sikur edhe kandidatët e tjerë të pavarur. Ndërsa do të mund shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

Deputeti Bajrami ka bërë me dije se mandati i presidentit do të jetë pesëvjeçar për shkak që të mos përkojë me përfundimin e mandatit të Kuvendit dhe të kryeministrit.

Bajrami është shprehur optimist se amendamentet e bëra do ta kenë përkrahjen e të gjitha partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës, pasi që, sipas tij, ndryshimet kushtetuese në këtë çështje kanë qenë më se të nevojshme për t’i shmangur vakuumet politike në vend.

Për ta plotësuar punën e tyre, do të organizohen edhe debate publike me qytetarë me të cilat një ndër çështjet kryesore që do të diskutohet pritet të jetë shtetësia e dyfishtë e kandidatëve për president si dhe betimi. /koha/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›