Thellohet edhe më shumë kriza, prodhimi bie me 44%
Emblema e një shteti është forca prodhuese e saj, e cila garanton rritje ekonomike dhe mirëqenie për konsumatorët. Në vendin tonë, treguesi i prodhimit ka hyrë në një spirale të rrezikshme, ku jo vetëm po punohet me kosto më të larta se para nisjes së krizës, por niveli i produktivit shënon kuota tejet të ulëta, duke paralajmëruar një të ardhme të pasigurt, raporton e përditshmja Shqip.
Nuk janë ministra, politikanë apo ekspertët që e thonë këtë, por vetë shifrat e raportuara nga administrata e tatimeve, e cila menaxhon bilancet e shoqërive të prodhimit në vend.
Nga totali i të ardhurave tatimore, sipas sektorëve ekonomikë, shikohet një rënie në sektorët e prodhimit me -44.2 për qind, ose me vlerë 3.4 miliardë lekë më pak se viti 2011, për periudhën janar-prill. Pas këtij sektori vjen ai i transportit, me rënie të ardhurash me -30.5 për qind, e ndjekur nga ndërtimi me -3 për qind. Pesha e sektorëve që kanë pësuar rënie në totalin e të ardhurave tatimore është 27 për qind dhe natyrshëm kjo ka ndikuar në reduktimin e të ardhurave në total.
Sakaq, biznesi shqiptar rrezikohet edhe nga mungesa e likuiditeteve, duke ia komplikuar më shumë situatën. Të dhënat e fundit të raportuara nga INSTAT-i, bëjnë të ditur se, për pjesën e parë të vitit tregojnë se kosto e prodhimit është rritur 2.5 për qind më shumë krahasuar me tre muajt e parë të një viti më parë. Shtrenjtimi ka prekur gati të gjithë sektorët.