E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Presidenti i ri, Balla: I pranuar nga shqiptarët, Meta u zgjodh nga radhët e opozitës dhe rezultoi e gabuar

Taulant Balla ka kryer homazhe për dëshmorët e kombit duke përkujtuar 5 Majin në qytetin e Fierit, ku është edhe drejtues politik i PS i këtij qarku. Pas homazheve ai ka folur për mediat edhe për çështjen e presidenti ku vlerësoi konsensusin e arritur një ditë më parë mes mazhorancës dhe opozitës në Konferencën e Kryetarëve për të nisur procedura më 10 maj dhe më 16 maj të mbahet raundi i parë i votimit të emrit të presidentit, i cili do të jetë në krye të vendit për 5 vitet e ardhshme.

Presidenti i ardhshëm nuk do të jetë nga radhët e PS, por për Ballën nuk duhet të jetë as nga opozita, pasi Ilir Meta ishte një drejtues i një partie opozitare dhe sipas tij rezultoi një zgjedhje e gabuar. Balla tha se figura e presidentit duhet të jetë i gjithëpranuar nga shqiptarët.

“Siç jeni në dijeni raundi i parë do të zhvillohet me 16 maj dhe koha është e mjaftueshme me premisën e mirë të nisur dje në konferencën e kryetarëve në një dialog të hapur dhe transparent me të tre grupet parlamentare të opozitës për ti dhënë Shqipërisë një president për të gjithë shqiptarët. Sikurse ne e kemi thanë që nuk duam një president nga PS. Mendoj një president i mirë duhet të jetë një president që të pranohet nga të gjithë shqiptarët, sepse kështu e ka përcaktuar Kushtetuta, Presidenti përfaqëson unitetin e popullit. Besoj i keni ndjekur sondazhet. Një president që ishte udhëheqës i një partie të opozitës ishte udhëheqësi më i keq në 30 vite”, tha Balla.

Një koment Balla e pati edhe për vrasjen e ish-deputetit të PS-së, Fatmir Xhindin, në 2009 në Roskovec, ku sot shënohet 13 vite i ndarë nga jeta. Balla theksoi se pret që drejtësia të zbardhë vrasjen.

‘Natyrshëm që për ne socialistët Fatmir Xhindi mbetet një koleg i paharruar dhe ende besojmë se drejtësia në bashkëpunim edhe me policinë e shtetit të hedhin dritë mbi një vrasje e cila ende është e pazbuluar dhe autorët e këtij krimi makabër nuk janë vendosur ende përpara drejtësisë. Ne presim që të gjitha institucionet ligjzbatuese të bëjnë detyrën e tyre, tha Balla.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›