BE po shqyrton heqjen e votimit me unanimitet

Ndërsa i afrohet qershorit, Bashkimi Europian po shqyrton mundësinë e shmangies së votimit unanim. Procedura që po mban të bllokuar Shqipërinë pas vetos së Bullgarisë mbi Maqedoninë e Veriut, ka shkaktuar një tjetër stuhi brenda spektrit të partive politike në Maqedoni.
Në një intervistë për agjensinë ukrainase të lajmeve, presidenti i Këshillit Europian Charls Michel ka deklaruar se procesi i vendimarrjes do të jetë pjesë e Konferencës për të ardhmen e Evropës që do të mbahet në Strasburg pas pak ditësh.
Ndërsa i është përgjigjur pyetjes mbi këtë mundësi të shtruar pak ditë më parë nga kryeministri italian Mario Dragi, Michel ka thënë se kjo mund të arrihet edhe me traktatet e mjetet aktuale ligjore të BE-së.
“Po ju jap një shembull. Objekti Evropian i Paqes. Pas tre ditëve të luftës, ne vendosëm të siguronim pajisje ushtarake vdekjeprurëse si furnizim për Ukrainën. Ishte gjithashtu një kërkesë e drejtpërdrejtë për mua nga Zelensky. Kur morëm këtë vendim, përdorëm atë që ne e quajmë abstenim konstruktiv. Kjo tregon se ka mjete. … Do të thotë se ky debat është legjitim dhe do të ketë vend. Ne kemi shumë mjete ligjore në duart tona për të gjetur sistematikisht ekuilibrin mes bashkimit që na bën më të fortë nga njëra anë, por edhe mundësinë për të marrë parasysh disa ndjeshmëri, disa opinione të ndryshme në tryezën e Këshillit Evropian” tha zoti Michel.
Deklarimi duket se i jep optikë tjetër edhe vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut që po bllokon Shqipërinë jashtë çdo arsyeje. Nisur mbi praktikat e deritanishme, Bullgaria duket se kërkon garanci nga BE-ja për Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq spektri politik në Maqedoni po përdor gjithashtu kushte mbi këtë proces. Kështu VMR0-DPMNE deklaroi të mërkurën në mbrëmje se do të bllokojë punimet e parlamentit duke filluar nga 10 maji me objektivin e caktimit të një date për zgjedhje të tjera të parakohshme.
Po ashtu presidenti i Bullgarisë ripërsëriti të mërkurën se vendi i tij dëshiron që të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura me Maqedoninë para se ajo të lejojë hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Çështjet prekin ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë për të përfshirë një fjalë – bullgarët – së bashku me kombet e tjera shtetërore, tha Radev, duke shtuar se Bullgaria nuk sheh alternativë tjetër përveç futjes së Maqedonisë në BE, por ajo dëshiron që të përmbushen kërkesat e saj.