E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Presidenti i ri, Balla: Opozita të mos djegë dhe raundin e dytë, të sjellë zyrtarisht kandidatin

Negociatat mes PS dhe PD për zgjedhjen e presidentit duket se janë rikthyer sërish në pikën zero. Teksa kreu i grupit të PD, Enkelejd Alibeaj tha se mazhoranca ka prishur marrëveshjen e arritur me konsensus pak ditë më parë në takimin që zhvilluan para kamerave të gjitha grupet parlamentare, Taulant Balla i ka bërë sërish sot thirrje opozitës që të sjellë një emër për Presidentin që do votohet në raundin e 2 të hënën.

Nga Fieri, Balla tha se nuk e di pse opozita u tërhoq nga procesi, por i bëri të ditur se afati i dorëzimit të kandidatëve përfundon sot dhe se nëse vijon të mos sjellë kandidatë për zgjedhjen e Presidentit atëherë mazhoranca do e zgjedhë e vetme kreun e shtetit.  

“Konstatoj me keqardhje që nga ana e opozitës nuk ka një qasje për të marrë përgjegjësinë për të propozuar zyrtarisht kandidatura. Nuk e kuptoj pse PD si grupi më i madh në Kuvend u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit. Ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me grupin parlamentar të PD dhe grupet e tjera që dy raundet janë raunde që i takojnë propozimit për kandidat për president nga opozita. Nëse opozita dhe në raundin e tretë opozita nuk vendos që të marrë pjesë në proces, natyrshëm që në raundin e 4 do të zgjidhet presidenti apo presidentja e re e republikës”, tha ai.

Ditën e hënë Kuvendi i Shqipërisë në orën 18:00 do të zhvillojë seancën plenare për zhvillimin e votimit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në mbledhjen e zhvilluar mes grupe parlamentare  disa ditë më parë u dakordësua që opozita do të propozonte emrin e kandidatit për president në dy raundet e ardhshme e më pas socialistët, por më pas palët nisën akuzat ndaj njëra-tjetrës për prishje të konsensusit! Alibeaj tha se kandidatin e opozitës duhet ta firmosin socialistët, por Balla tha se kjo nuk ishte dakordësia e arritur në mbledhje.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›