Presidenti i ri, PD rrëzon idenë e PS për konkurs
Demokratët kundërshtojnë propozimin e socialistëve për të organizuar një konkurs për të përzgjedhur kandidatët për president, siç u bë për Avokatin e Popullit. PD: Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë procedurën për zgjedhjen e Presidentit dhe se për këtë proces nuk nevojitet një konkurs paraprak
TIRANË Mazhoranca nuk ka ndërmend që të dalë nga shinat e qëndrimit të saj për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pavarësisht propozimeve që mund t’i ofrohen nga opozita. Në kushtet kur mazhoranca mund të zgjedhë e vetme Presidentin e Republikës, opozita në anën tjetër po shikon të gjitha mundësitë, sa ligjore aq edhe strategjike për të zgjedhur një president konsensual. Krahas depozitimit të kërkesës në Kushtetuese për çështjen e kuorumit të nevojshëm në sallën e Parlamentit për të hapur votimin, gazeta “Mapo” raportonte dy ditë më parë se socialistët do t’i propozojnë mazhorancës hapjen e një procesi të veçantë për të përzgjedhur një kandidaturë për kryetar shteti, e cila në radhë të parë duhet të përfaqësojë gjithë shqiptarët dhe së dyti, të ketë pëlqimin e të dyja palëve. Procesi që do t’u propozohet demokratëve është i njëjtë me atë që selia rozë organizoi për të përzgjedhur kandidaturën e Avokatit të ri të Popullit. Kjo procedurë pritet të kërkohet me ngulm nga opozita sa kohë që PS-ja pak shpresa ka të marrë një përgjigje pozitive nga Kushtetuesja për hapin e parë ligjor, atë të kuorumit të kërkuar për hapjen e votimit. Por dy strategjitë në fjalë; qoftë e para (që do të gjykohet nga një trupë gjykuese, ku tre prej tyre u ka mbaruar mandati me kohë) ashtu edhe e dyta (për zhvillimin e një konkursi) pritet që të dështojnë. Partia Demokratike ende nuk ka reaguar publikisht mbi strategjinë e mundshme të PS-së për të organizuar një konkurs për kandidatin e ardhshëm, megjithatë, jo zyrtarisht figura të larta të saj janë shprehur dje për gazetën “Mapo” se Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë procedurën për zgjedhjen e Presidentit dhe se për këtë proces nuk nevojitet një konkurs paraprak.
Presidenti Topi
Ndërkohë, edhe Presidenti aktual, Bamir Topi nuk ka ndërmend që të përfshihet në debatin mazhorancë-opozitë lidhur me kuorumin e nevojshëm që duhet për të hapur siparin e raundeve për zgjedhjen e Presidentit të ri. Të paktën ligjërisht, mësohet se kreu i shtetit nuk do të ndërmarrë asnjë lëvizje institucionale, siç është kërkesa për interpretim drejtuar Gjykatës Kushtetuese, sa kohë që vetë ai pret të mbyllë pjesën e mbetur të mandatit për t’iu rikthyer jetës politike në vend, ndoshta edhe me krijimin e një partie të re politike. Topi nuk do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e aq më shumë të mbajë ndonjë qëndrim ligjor për këtë çështje, sa kohë që ky mbetet një debat mes partive politike në vend. Prej disa ditësh, juristë të ndryshëm dhe konstitucionalistë kanë hedhur idenë e depozitimit të një kërkese në Gjykatën Kushtetuese, për të caktuar qartë kuorumin që duhet për hapjen e votimit të raundit të parë për zgjedhjen e presidentit.
Debati
Socialistët deri më tani nuk janë shprehur zyrtarisht për kërkesën në Kushtetuese, ndërsa kanë pritur nën zë se një gjë të tillë mund ta ndërmerrte vetë Presidenti i Republikës. Në anën tjetër, mazhoranca e konsideron një debat sa të parakohshëm, aq edhe të pavlerë. Sipas juristëve demokratë, Kushtetuta e ka të parashikuar qartë të gjithë procedurën. Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, duke komentuar dispozitën kushtetuese që flet për procedurën e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, u shpreh dy ditë më parë se ligji themeltar i shtetit nuk e konsideron të domosdoshme arritjen e kuorumit prej 84 votash për të hyrë në proces votimi. Duke iu përmbajtur kësaj ideje, Alibeaj solli si analogji faktin se Kushtetuta nuk e konsideron të nevojshme as pasjen e një kandidati për president për të zhvilluar raundin e parë të votimit. Ai solli si shembull rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Bamir Topi në vitin 2007. “Ne kemi pasur më 2007-ën së paku dy raunde të ezauruara në atë kohë, cilat u ezauruan duke mos pasur kuorumin prej 84 votash...”, - shtoi ai.
Kushtetuta
Në nenin 87 të Kushtetutës, në pikën 3 të saj thuhet specifikisht se Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Edhe pse ka qartësuar votat e kandidatit, Kushtetuta nuk ka parashikuar kuorumin që duhet, edhe pse juridikisht lihet të kuptohet, për sa kohë që në tri raundet e para kërkohen 84 vota për të zgjedhur Presidentin.