Veliaj: Qeverisja e re, administrimin do ua besojmë të rinjve profesionistë
“Për 20-vjetorin e FRESSH-it, themelues të lëvizjes do të bashkohen me mijëra aktivistë të rinj në Pallatin e Kongreseve në mëngjes, më pas do të kemi një ekspozitë të ‘Protestuesit Shqiptar’ - frymëzuar nga ideja e revistës TIME për protestuesit që ndryshuan botën këtë vit”
Sekretari për Rininë dhe Emigracionin në PS, Erion Veliaj është i mendimit se tek të rinjtë do të mbështetet administrimi i qeverisjes së re të vendit. Veliaj zbulon në intervistën e mëposhtme edhe disa detaje nga aktivitetet që po përgatiten në PS për 20- vjetorin e krimit të FRESSH-it. Ai veçon në to ekspozitën nën titullin ‘Protestuesit Shqiptar’ - frymëzuar nga ideja e revistës TIME për protestuesit që ndryshuan botën këtë vit.
Z. Veliaj, pas një muaji si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin, jeni po aq optimist për mundësinë e mobilizimit të këtyre grupeve që angazhohen pak ose aspak në politikë?
Mosha mesatare në Shqipëri është 30 vjeç dhe nga 1 milion të papunë, shumica prej tyre janë të rinj. Gjithashtu, rreth 1milion shqiptarë jetojnë jashtë vendit. Nëse qeveria shqiptare këto dy grupime i sheh si barrë, kësisoj ul buxhetin e arsimit, nuk lejon votën e emigrantëve dhe injoron protestat në seri të studentëve të Mjekësisë, Juridikut, e të degëve të tjera për padrejtësitë në arsim, ne nuk e besojmë këtë. I shohim të rinjtë si mundësi, e jo si një fatkeqësi. Në një Europë plakë është bekim të kesh kaq shumë të rinj. Por kjo qeveri ka humbur lidhjen me realitetin, fëmijët e tyre shkojnë në shkolla private apo jashtë vendit, ndaj dhe nuk ka habi pse ulet buxheti i arsimit për të rinjtë dhe rritet buxheti i karburantit për Kuvendin. Ndaj kemi nisur një mobilizim të të rinjve. Në 8 Dhjetor e transformuam Ditën e Rinisë në aktivitete që i bëjnë të rinjtë protagonistë, dhe jo politikanët e vjetër. Në 27 Dhjetor themeluam Rrjetin e Profesionistëve të Rinj - një grup fantastik të rinjsh të aftë që punojnë në banka, sigurime, studio ligjore, mjekësi etj., që ndajnë me PS-në profesionalizmin e tyre dhe pasionin për ndryshim. Tek këta të rinj që i dalin zot vetes dhe vendit, do të mbështesim administrimin e qeverisjes së re të Shqipërisë. Ndaj po, jam shumë optimist.
Në datën 15 janar, FRESSH mbush 20 vjeç, çfarë ka planifikuar Sekretariati i Rinisë për atë ditë?
Do jetë një ditë fantastike. Të rinj progresistë nga e gjithë Shqipëria do të “pushtojnë” Tiranën për disa aktivitete. Themelues të lëvizjes do të bashkohen me mijëra aktivistë të rinj në Pallatin e Kongreseve në mëngjes, më pas do të kemi një ekspozitë të ‘Protestuesit Shqiptar’ - frymëzuar nga ideja e revistës TIME për protestuesit që ndryshuan botën këtë vit; pasdite do të zhvillojmë një dëgjesë për programin në ‘Black Box’, e në mbrëmje sigurisht do të festojmë me muzikë e miq të shumtë. Do të na bashkohen personazhe që frymëzojnë të rinjtë nga politika, muzika, teatri e sporti, por emrat do t'i lëmë surprizë për atë ditë.
Përmendët dhe programin, ç'ofron për të rinjtë programi i ri i PS, "Rilindje Shqiptare" ?
S'mund të ketë Rilindje Shqiptare pa të rinjtë. Janë pjesa më e madhe dhe më krijuese e popullsisë. Programi i PS-së ka rikonceptuar dy çështjet kryesore për rininë: arsimin dhe punësimin. PS propozon forcimin e arsimit publik, theks tek arsimi profesional që jep një zanat e inkurajon sipërmarrje, dhe rritje të buxhetit të arsimit në 5% të PBB-së, thuajse dyfish i të sotmes. Këto janë themele të shëndosha, por nuk mjaftojnë. Ndaj, 15 janarin do ta pasojë një seri takimesh në të gjithë Shqipërinë, ku programi do të trajtohet si një “libër i hapur” për çdo ide të mirë që do të vijë nga të rinjtë. Rruga për programin do të kalojë në çdo shkollë, universitet e grup të rinjsh që do të duan të bëhen aksionerë të projektit tonë për një qeverisje moderne të shqiptarëve.