E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria europiane është rruga dhe vendmbërritja jonë përfundimtare

25-07-2012 / Gazeta 55

Fjala e presidentit të republikës, z.Bujar Nishani në ceremoninë e betimit në Kuvendin e Shqipërisë

E nderuara zonja Kryetare e Kuvendit!
I nderuar zoti Kryeministër!
Të nderuar zonja dhe zotërinj Ministra!
Zonja dhe zotërinj Deputetë!
Shkëlqesi Ambasadorë! Miq dhe të ftuar!
Të dashur bashkëqytetarë kudo ku ndodheni!
Dëshiroj t’ju shpreh falenderimet dhe nderimin tim së pari për praninë tuaj në këtë ceremoni të marrjes së detyrës si dhe për të gjitha vlerësimet dhe besimin që më keni kushtuar!
Nga ky podium i nderuar, më lejoni njëherësh të shpreh mirënjohjen për mesazhet dhe përshëndetjet e dërguara për zgjedhjen e Presidentit të Shqipërisë nga ana e Sekretares amerikane të Shtetit, zonja Klinton; Presidentit të Komisionit Evropian, zotit Barrozo dhe gjithë homologët e tjerë, të cilët më nderuan me urimet e tyre! Sot u betova në Kuvendit të Shqipërisë. U betova mbi Kushtetutë për të respektuar ligjet, për të mbrojtur lirinë e interesat e qytetarëve dhe vendit tim. Këtë detyrë të nderuar po e marr përsipër në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit shqiptar. Rruga e jonë nuk ka qenë e lehtë, përkundrazi ka qenë e mbushur me sakrifica dhe herë-herë edhe me pengesa, por së fundmi ia kemi dalë dhe jemi në rrugën e duhur. Gjatë njëzet viteve të fundit, përpjekjet e bëra kanë sjellë ditë pas dite e hap pas hapi një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri më të lirë, një Shqipëri më demokratike dhe më të zhvilluar ekonomikisht.
Sot Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s falë angazhimit dinjitoz të shqiptarëve dhe partneritetit të ofruar nga aleatët tanë, liria jonë është e sigurt. Sot shqiptarët lëvizin pa pengesa në hapësirën “Schengen”, ku falë seriozitetit të provuar të vetë shqiptarëve por dhe dashamirësisë së miqve tanë, liritë tona janë reale e të prekshme. Shqipëria, nga vendi më i izoluar në Evropë, nga vendi ku liritë dhe të drejtat themelore të njeriut nuk ekzistonin, mban sot Presidencën e radhës së Këshillit të Evropës. Tashmë, vendi ynë është i barabartë mes partnerësh.
Detyra jonë është të shohim e të dëgjojmë çdo ditë e të kuptojmë atë çfarë duan qytetarët tanë të gëzojnë në vendin e tyre: në vendin ku po rrisim fëmijët tanë dhe të cilin duam t’ua lëmë trashëgim nipërve dhe mbesave. Të gjithë jemi të bindur se do të dëgjojmë nga çdo bashkëqytetar të njëjtat kërkesa për paqe, mirësi, mirëqenie ekonomike, për ligj dhe rend, për drejtësi sociale, për liri dhe zhvillim. Secili prej nesh ka një mundësi të japë kontributin e vet për t’u garantuar qytetarëve tanë të gjitha këto, çdo ditë e më shumë. Shqipëria ka mjaft sfida, me të cilat duhet të përballet dhe të cilat duhen zgjidhur. Detyrimi parësor në këtë përballje u përket institucioneve tona. Presidenti i Republikës, në përmbushje të detyrave të tij kushtetuese, ka një angazhim të rëndësishëm për të realizuar reformën në fushën e drejtësisë. Për fat të keq, aktualisht ne konstatojmë një raport të theksuar mosbesimi midis qytetarëve dhe sistemit të drejtësisë. Rivendosja e këtij besimi do të jetë matësi dhe vlerësuesi më i mirë i funksionimit ligjor të sistemit. Konsolidimi i mëtejshëm i pavarësisë së sistemit të drejtësisë është baza e vetme mbi të cilën mund të ngrihet suksesshëm çdo nismë e ndërmarrë në kontekstin e reformave. Së bashku me bashkësinë e gjyqtarëve dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kam përgjegjësinë dhe konfirmoj angazhimin për përcaktimin dhe konsolidimin e një sistemi vlerësimi të gjithëdiskutuar e të pranuar publikisht mbi nevojën e vlerësimit dhe vendimmarrjes për karrierën, promovimin dhe gjykimin administrativ të gjyqtarëve të Gjykatave të Shkallës së Parë dhe atyre të Apelit.
Ofroj të gjithë vullnetin dhe angazhimin e Institucionit të Presidentit të Republikës, në konsultim dhe bashkërendim kushtetues edhe me Kuvendin e Shqipërisë në përzgjedhjen dhe emërimin e gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe atyre të Gjykatës Kushtetuese, duke e konsideruar këtë proces si më jetësorin në konsolidimin e asaj trupe, e cila orienton dhe garanton tërë veprimtarinë profesionale dhe ligjore të të gjithë sistemit tonë gjyqësor. Institucioni i Presidentit të Republikës do të garantojë që vlera e lartë e dekretit presidencial t’u kushtohet vetëm atyre prokurorëve, të cilët e kanë vërtetuar kurajon, nivelin profesional dhe integritetin e tyre moral. Siç edhe na janë adresuar vazhdimisht miqtë tanë nga Komisioni dhe Parlamenti Evropian, si dhe ata nga Departamenti amerikan i Shtetit duke na e vënë në dukje, sot Shqipëria ndodhet përballë çasteve shumë të rëndësishme për të tashmen dhe të ardhmen e saj. Synimi, përpjekjet tona si dhe krijimi i të gjitha kushteve të nevojshme për të marrë në mënyrë të merituar statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, janë interesi madhor i qytetarëve tanë - interes i lidhur drejtpërdrejtë me arritjen dhe plotësimin e atyre standardeve që shqiptarët meritojnë të kenë. Dymbëdhjetë përparësitë kryesore, të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian, përbëjnë reformat kyçe që duhet të ndërmerren nga ne dhe dëshiroj të vë në dukje se në këtë drejtim një seri rezultatesh pozitive janë arritur tashmë. Dëshiroj gjithashtu, të përfitoj nga rasti për të shprehur të gjithë vlerësimin tim për punën e bërë dhe konsensusin e arritur për Reformën Zgjedhore duke mirëpritur vendimmarrjen e përbashkët mazhorancë – opozitë në procesin e heqjes së imuniteteve si një akt i konfirmimit të politikës ndaj shoqërisë se parimi i barazisë përpara ligjit është i patjetërsueshëm. Në cilësinë e Presidentit të Republikës, shfrytëzoj këtë rast për të theksuar nevojën e konsolidimit të një klime të qëndrueshme politike si dhe të vazhdimësisë së dialogut politik mes palëve dhe vullnetit të përbashkët për të ecur përpara me reformat e tjera të rëndësishme. Është një fat për vendin tonë që të gjitha forcat politike janë tërësisht pro euro-atlantike dhe pro integrimit evropian. Kam besimin e madh se me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria do të marrë me meritën e duhur, statusin e vendit kandidat. Ndihem krenar që jam President i një vendi, i cili ka ofruar kontribute reale për stabilitetin, paqen dhe bashkëpunimin rajonal e më gjerë. Roli i Shqipërisë dhe shqiptarëve në Ballkan, është thelbësor në interes të këtyre vlerave, të cilat garantojnë lirinë, zhvillimet demokratike, tregun e lirë si dhe një të ardhme dinjitoze. Presidenti i Republikës do të mbështesë plotësisht dhe do të ofrojë bashkëpunimin e tij në të gjitha angazhimet e qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë në kontributet që do ta bëjnë rajonin tonë më të sigurt, më të integruar dhe më të zhvilluar ekonomikisht.
Sot, Forcat tona të Armatosura si pjesë e Aleancës më të suksesshme politike-ushtarake, – të NATO-s, – po përmbushin me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë misionin e tyre në shërbim të paqes, lirisë dhe demokracisë në Afganistan. Ata djem e vajza, na kanë bërë të ndihemi edhe më shumë krenarë për emrin tonë si shqiptarë. Duke përfituar nga ky rast solemn si dhe duke i përshëndetur ata, ju garantoj të gjithëve rreth angazhimit tim për të qenë në krah të qeverisë dhe Kuvendit në çdo vendimmarrje të tyren në vijim dhe përmbushje të këtyre kontributeve madhore.
Në këtë ditë solemne, dëshiroj të konfirmoj të gjithë vullnetin dhe gatishmërinë time për të qenë një partner i sinqertë për mazhorancën qeverisëse dhe për opozitën politike!
Institucioni i Presidentit të Republikës, në respekt të vullnetit të qytetarëve të vendit dhe në bindje ndaj frymës së Kushtetutës, do t’i ketë të hapura dyert e tij gjatë pesë viteve të ardhshme si për mazhorancën, ashtu edhe për opozitën për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe për vlerësimin e qëndrimeve të përbashkëta në interes të vendit dhe kombit.
Misioni ynë është i njëjtë dhe i pandryshueshëm: ta bëjmë vendin tonë më të lirë, më demokratik, më të zhvilluar dhe gjithnjë e më shumë të dashur për të jetuar. Ta bëjmë jetën e qytetarëve tanë gjithnjë e më të qetë, më të sigurt, më njerëzore dhe besimplote, duke shtuar përditë e më shumë garancitë për një jetë dinjitoze dhe paqe sociale.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti i bekoftë shqiptarët!

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›