E Hënë, 2 Nëntor 2026

Presidenti i ri i Koresë së Jugut: Rinisim bisedimet me Korenë e Veriut

Presidenti i sapozgjedhur i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, u zotua të rinisë bisedimet me Korenë e Veriut dhe të forcojë një partneritet trepalësh me SHBA-në dhe Japoninë, ndërsa përcaktoi objektivat kryesore të politikave për mandatin e tij të 5-vjeçar.

Në fjalimin e tij inaugurues, Lee tha se qeveria e tij do të merret me kërcënimet bërthamore të Koresë së Veriut dhe agresionet e saj të mundshme ushtarake me “parandalim të fortë” bazuar në aleancën ushtarake me SHBA-në. Gjithashtu Lee tha se do të “hapte një kanal komunikimi me Korenë e Veriut dhe do të vendoste paqen në gadishullin korean përmes bisedimeve dhe bashkëpunimit”.

Presidenti i ri Lee u shpreh se do të ndjekë diplomaci pragmatike me vendet fqinje dhe do të nxisë bashkëpunimin trepalësh Seul-Uashington-Tokio.

“Përmes diplomacisë pragmatike të bazuar në interesat kombëtare, ne do ta shndërrojmë krizën e shkaktuar nga ndryshimi i madh në peizazhet globale ekonomike dhe të sigurisë në një mundësi për të maksimizuar interesat tona kombëtare”, tha Lee.

Sfidat më të vështira që e presin presidentin Lee janë politika tarifore e Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe partneritetet ushtarake në zgjerim të Koresë së Veriut me Rusinë.

Urimi për zgjedhjen e tij erdhi dhe nga SHBA, ku Departamenti i Shtetit tha se Seuli dhe Uashingtoni ndajnë “një angazhim të palëkundur” ndaj aleancës të bazuar në traktatin e tyre të mbrojtjes së ndërsjellë, vlerat e përbashkëta dhe lidhjet e thella ekonomike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›