E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i ri, nesër takimi Berisha-Dule

Pas shtyrjes së takimit Berisha-Dule, i parashikuar për tu mbajtur sot, për shkak të vizitës së kreut të PBDNJ-së në Greqi, ky takim do të mbahet nesër. Rreth orës 09:40, në kryesinë e Kuvendit Kreu i PD-së Sali Berisha dhe ai i PBDNJ-së,Vangjel Dule, do të zhvillojnë nesër bisedimet lidhur me zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit.

Më herët Dule është takuar edhe me të ish-kreun e PS-së Fatos Nano, i cili është vetëshpallur kandidat për kreun e ri të shtetit duke i dhënë këtij të fundit edhe mbështetjen e tij.

Ndonëse, kreu i opozitës Edi Rama ka kërkuar një takim me kryeministrin Berisha në lidhje me kandidatin për presidentin e ri të vendit, kreu i mazhorancës e ka shmangur një takim të tillë.

Edhe pse kryeministri ka bërë ftesë ndaj PS për takime në kuadër të negociatave për Presidentin, ai thekson nuk e sheh domosdoshmërisht të nevojshëm takimin me Ramën, pasi sipas tij kjo mund të bëhet fare mirë përmes autorizimeve të përfaqësuesve nga të dyja palët.

Më herët, grupi i PD-së i mandatuar për negociatat, nën drejtimin e lidërshipit Berisha është takuar me kreun e LSI-së, Ilir Meta, kreun e PR-së Fatmir Mediu dhe kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Ndërsa po i afrohemi votimit të parë në parlament, më 30 maj, procesi për zgjedhjen e presidentit të ri ende nuk është shpallur ndonjë emër konkret.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›