Presidenti kthen Ligjin për Policinë e Shtetit, Lleshaj : Lëvizje politike për të mbajtur ndezur konfliktin me qeverinë

Për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, kthimi i ligjit për “Policinë e Shtetit” nga ana e Presidentit Ilir Meta, është lëvizje politike qe kërkon të mbajë ndezur konfliktin politik të presidencës me qeverinë. Në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, Lleshaj tha:
“Do të ishte lajm nëse Presidenti do ta kishte miratuar ligjin, duke marrë në konsideratë faktin që tashmë Presidenti i kthen të gjitha ligjet që i shkojnë nga Kuvendi i Shqipërisë. Kthimet nuk përbëjnë më lajm për arsye se është kthyer në një procedurë standarde refuzimi i ligjeve që Parlamenti i dërgon Presidentit” – theksoi Lleshaj në “Përballë”.
Sipas ministrit, ligji është konsultuar me partnerët ndërkombëtarë dhe nuk synon të përgjojë qytetarët.
“Ndryshimet e bëra vetëm synojnë ti japin asaj disa instrumenta që i kanë munguar që policitë e tjera i kanë natyrshëm në arsenalin e kapaciteteve në dispozicion. Pra, i kanë dhënë disa atribute elementare siç është ai i mbikqyrjes. Nuk bëhet fjalë për përgjim, bëhet fjalë për mbikqyrje vizuale. Përgjim do të thotë të përgjohet përmbajtja e bisedave dhe kryesisht termi përgjim përdoret për komunikimin. Ky ligj bën fjalë vetëm për mbikqyrjen vizuale, e cila “de facto” ndodh” – tha Lleshaj.