Presidenti më 30 Maj, Patozi: Nuk përjashtohet konsensusi
Tiranë- U zhvillua sot Konferenca e Kryetarëve të grupeve kuvendore, ku u vendos data e raundit të parë të votimit për presidentin e ri, i cili do të mbahet më 30 Maj.
Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi tha se u mor vendimi që datat për presidentin të mos cënojnë axhendën normale të parlamentit.
Kushtetuta dhe rregullorja e përcaktojnë qartë si zgjidhet presidenti, shpresojmë që të zgjidhet që në raundin e parë-tha ai. Gjithashtu Patozi nuk përjashtoi mundësinë e një presidenti konsensual.
Rregullorja parlamentare (neni 109) përcakton se presidenti zgjidhet në përputhje me nenet 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës, me votim të fshehtë dhe pa debat. Sipas Kushtetutës (neni 87), procedura për zgjedhjen e presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës.
Për zgjedhjen e presidentit, kuvendi zhvillon deri në pesë votime.Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat.
Gentjan Alinani/IDEA/