Presidenti në Ersekë, dekoron Petro Nini Luarasin dhe Jani Vreton
Presidenti Bamir Topi ka mbërritur sot në qytetin e Ersekës, ku është pritur nga kryetari i Bashkisë, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qytetarë. Kjo është një zonë me tradita të spikatura patriotike e në fushën e dijes dhe kulturës, tha Topi. 100 vjetori i shtetit është rasti për të nderuar figurat që i dhanë emër kombit dhe që nuk i mungojnë kësaj zone.
Më pas Topi mori pjesë në ceremoninë e dekorimit të dy figurave të njohura të historisë sonë kombëtare. Ky vlerësim në vitin e 100 vjetorit është i rëndësishëm për tiu rikthyer veprës së patriotëve që kontributin nuk e kursyen në shërbim të kombit në momente të rëndësishme për vendin. Petro Nini Luarasi dhe Jani Vreto janë vetëm dy prej plejadës së rëndësishme të personaliteteve që në periudha të ndryshme i kanë dhënë nder zonës dhe Shqipërisë. Luarasi dhe Vreto janë dy prej kolosëve që kontribuuan si në funksion të dijes, gjuhës shqipe por edhe shqiptarizmës. Sot kemi nderin tu japim vlerësimin më të lartë të merituar se i kanë bërë nder kombit, tha Topi.
Ndërkohë presidenti është pyetur për nevojën e rikthimit të identitetit me figurat e kombit. Ky është objektivi i punës së institucionit në këtë vit jubilar dhe do vijojë ashtu siç do impenjohen edhe institucionet e tjera në këtë vit të rëndësishëm, tha Topi.
I pyetur për sulmet e mazhorancës dhe analistëve të saj ndaj tij, Topi tha se ai do vazhdojë të përmbushë detyrën e tij deri në fund të mandatit. Kjo është përgjigje shteruese për një pyetje që përsëritet pas çdo aludimi, tha Topi.