E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga që do e çojë Kosovën drejt rrënimit

Share

Një shkrim i publikuar në portalin e rëndësishëm Transitions Online nxjerr në pah rrezikun e falimentimit të Kosovës nga ndërtimi i rrugës Vërmicë- Merdare. Shkrimi ka për autor Andrea Lorenzo Capussela, ish- drejtor për çështjet ekonomike dhe fiskale në Zyrën Civile Ndërkombëtare, e cila mbikëqyr pavarësinë e Kosovës.

Në shkrim thuhet se rruga do i kushtojë shtrenjtë buxhetit të dobët të Kosovës dhe mund të provokojë një krizë financiare. Sipas autorit, rruga është e panevojshme dhe tepër e shtrenjtë. Autori thotë se nuk qëndron as argumenti ekonomik për ndërtimin e Rrugës patriotike.

Tregtia mes Kosovës dhe Shqipërisë është minimale, në pesë vitet e fundit vetëm 3 përqind e importeve të Kosovës janë nga Shqipëria dhe rreth 12 përqind e eksporteve të pakta të Kosovës shkojnë atje. Nuk është as rrugë e rëndësishme transporti. Vetëm pesë përqind e importeve vijnë në Kosovë nga Shqipëria, thuhet në shkrim.

Autostrada ka nisur të ndërtohet pa plan, pa studim fizibiliteti dhe pa asnjë projekt financimi. E vetmja arsye për ndërtimin e saj qëndron tek emri: është një akt patriotizmi, shkruan autori.

Në shkrim thuhet se oferta e Bechtel Enka ishte një çmim që varion nga puna që bëhet. Kështu ka bërë Bechtel dhe në Shqipëri e në Rumani. Për Shqipërinë projekti nisi për 418 milion euro dhe përfundoi në mbi 1 miliard euro. Edhe në Rumani rasti ishte skandaloz pasi Bechtel fitoi kontratën për një autostradë 415 kilometër dhe vetëm për 54 kilometra kishte marrë 1.3 miliard euro. Tenderi, shkruan autori i shkrimit, ishte plot shkelje. Një firmë konsulence doli kundër, por mendimi i saj nuk u mor parasysh edhe pse ajo firmë ishte paguar 1.7 milion dollarë për të dhënë mendimin e saj.

Në fund, autori thotë se ndryshe nga Shqipëria e Rumania, Kosova mbikëqyret nga ndërkombëtarët. Po përse nuk kanë reaguar ata?

Autori thotë se zyra ku punonte ai, që drejtohet nga Pieter Feith ka heshtur dhe nuk ka ndërhyrë. Në një intervistë Feith ka thënë se nuk kishte dijeni për problemet me kontratën. Megjithatë në shënimet e mia për kontratën është edhe komenti i tij, thotë autori për ish- shefin e tij. I pyetur nga gazeta kosovare se përse nuk ka pasur dijeni për problemet, Feith është përgjigjur thjesht: Pyesni amerikanët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›