E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti në opozitë?

Temperatura politike në këto ditë të nxehta gushti po rritet në mënyrë progresive, duke vendosur në qendër Institucionin e Presidentit të Republikës. Kreu i Shtetit po vetëpërfshihet në një lojë sqarimesh mediatike, që shkojnë përtej rolit të tij, si institucioni më i lartë në vend. Dekreti i tij për kalimin e SHQUP-it tek Partia Demokratike ka intensifikuar sulmet politike ndaj tij, me aludime për konflikt interesi pronësor në kthimin e selisë blu tek pronarët. Mazhoranca e re që po artikulon këto sulme do ketë gjithë kohën t'i provojë me argumente, e madje edhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë, nëse do konstatohen shkelje. Në këtë sens, sulmet politike e mediatike ndaj Presidentit të Republikës kanë stilin e aksioneve "Mjaft-iste" kundër qeverisë Nano para një dekade. Ato janë qartësisht të lexueshme si të tilla dhe shenjë se qeveria e majtë po e nis me të njëjtin model të vjetër punën e saj për të rilindur vendin. Kultura e përbaltjes ka qenë një nga shënjestrat e dënuara nga e majta në opozitë, e cila paralelisht ka pasur artikulime të rënda, aspak etike, për gjendjen shëndetësore të Presidentit. Mbase kësaj sjelljeje të së kaluarës jo fort të largët i ndruhet Presidenti i Republikës, i cili dje pati reagimin e dytë zyrtar brenda tri ditëve, duke i konsideruar aludimet ndaj tij si një "…akt i turpshëm shpifjeje dhe ky sulm i rëndë antikushtetues me ngjyrim të qartë politiko-propagandistik synon të terrorizojë psikologjikisht familjen e Presidentit të Republikës dhe të ndalë ushtrimin e funksioneve kushtetuese nga ana e kreut të shtetit". Respekti për institucionin e Presidentit të Republikës duhet të jetë i padiskutueshëm dhe duhet të përmbushet nga çdo shtetas, deri tek politikanët a gazetarët. Por nga ana tjetër çdo shtetas ka të drejtë të bëjë pyetje e të informohet për çfarë ndodh, edhe me kreun e lartë të shtetit, i cili përtej detyrës kushtetuese është shtetas i këtij vendi, që e përmbush misionin e tij falë taksapaguesve shqiptarë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i mundëson kreut të shtetit të gjitha mekanizmat, që ta sqarojë këtë çështje, pa deklarata të tilla zyrtare publike, që reflektojnë një frikë të panevojshme institucionale e ndezin një debat të panevojshëm prej opozitari. E kaluara jo aq e largët e paraardhësve të Presidentit na kujton shpifje shumë më të rënda, të artikuluara qartë e hapur ditën për diell, nga aktorë të lartë politikë, e të përsëritura si refren nga papagallë më të vegjël politikë e "apolitikë". Në logjikën e kësaj tradite, viktimizimi nuk është rruga e duhur për kreun e shtetit, që në kushtet e një mazhorance të re, duhet të shfaqet fort si institucioni që ruan balancat, nxit dialogun e bashkëpunimin, e mbi të gjitha garanton unitetin e popullit. Për herë të parë institucioni i Presidentit të Republikës kërkon hapjen e hetimeve në prokurori për shpifje. Natyrisht, kjo është e drejtë legjitime e çdo shtetasi, edhe e institucionit të Presidentit të Republikës. Por në rastin e kreut të shtetit, në kushtet e tranzicionit politik, ky veprim mund ta fusë atë në një rreth vicioz, që do amplifikojë çështjen e do nxisë vëmendjen mediatike e publike rreth rastit në fjalë, duke tërhequr edhe aksione të tjera të panevojshme politike në të ardhmen. Një sqarim transparent institucional për rastin në fjalë, pa emocione politike, do ishte lëvizja e matur e kreut të shtetit, nëse ishte vërtetë i nevojshëm një sqarim i tillë, kjo duke pasur parasysh peshën e lehtë të artikuluesve, e të vetë aludimeve. Reagimet e përsëritura emotive, krejt të panevojshme për staturën e Presidentit të Republikës e barazojnë atë me çdo parti politike në vend, që reagon nga selia përkatëse për akuzat që janë pjesë e luftës politike në demokraci. Përfshirja në këtë lojë politike, përveçse dëmton vetë kreun e shtetit, i hap rrugë një kazusi të ri, atij prej opozitari. Kjo në kushtet kur Presidenti i Republikës as nuk duhet ta paramendojë veten si të tillë. Me Kushtetutë, ai qëndron mbi çdo betejë a lojë politike, qoftë edhe kur shënjestrohet institucioni i tij. Kushtetuta gjithashtu e përjashton Presidentin nga çdo përgjegjësi për çdo akt t kryer në ushtrim të detyrës së tij (Neni 90/1). Ky lloj reagimi veçse e ul akoma më shumë nivelin modest të marrëdhënieve publike të institucionit të Presidentit të Republikës. Këshilltarët e brendshëm e të jashtëm natyrisht kanë detyrë që ta këshillojnë Presidentin, e t'i propozojnë forma të ndryshme reagimi, por në fund të ditës është Kreu i shtetit ai që vendos filtrin e duhur institucional, mbi atë që do thuhet në publik. Presidenti i Republikës nuk mund të reagojë si individ, pasi është një institucion. Ai shihet si model i vetëpërmbajtjes e transparencës dhe qëndron në krye të piramidës institucionale në vend. Nëse ulet në nivelin e reagimit opozitar për çdo padrejtësi që i adresohet, e të tilla nuk përjashtohet të ketë edhe në të ardhmen, ai do bëhet njëlloj i prekshëm si çdo qytetar i këtij vendi, duke vetëhequr imunitetin që i njeh Kushtetuta, të cilin duhet ta respektojmë të gjithë, pa përjashtim.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›