Presidenti, ngushëllime për ndarjen nga jeta të skulptorit të shquar Shaban Hadëri
Tiranë, 15 Janar
NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka shprehur ngushëllimet
më të ndjera familjes Hadëri për ndarjen nga jeta të Skulptorit të Popullit,
Shaban Hadëri, në moshën 82 vjeçare.
Në këto momente dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë,
Shaban Hadëri, dëshiroj tju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet
e mia më të sinqerta, - thuhet në fillim të mesazhit.
Skulptori i Popullit që me punimet e tij përçoi talentin dhe ndjeshmërinë e një
artisti të rrallë, do mbetet i paharruar si për ata që e njohën personalisht,
ashtu edhe ata që e admirojnë për veprat e tij kudo nëpër Shqipëri, - evidenton
kryetari i shtetit.
Monumentet e
Shaban Hadërit, - siguron ai, - do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhshëm
me ndjenjat më të forta të atdhedashurisë e krenarisë historike.
Duke ndarë dhimbjen për humbjen e laureatit të Çmimit të Republikës, Topi shpreh
bindjen se i gjithë populli shqiptar i mbetet përjetësisht mirënjohës Shaban
Hadërit për veprën e tij prestigjioze.
r.b/NOA