Presidenti popullor ka një çmim

Zgjedhja e presidentit nga populli do të shtonte një tjetër proces votimi në vendin tonë, veç zgjedhjeve vendore dhe atyre të përgjithshme. Veç mundimit për t’i kushtuar sadopak minuta për të shkuar në qendrën e votimit apo lodhjen fizike për këtë proces, qytetarët do të duhet të nxjerrin edhe ca lekë të tjera nga xhepi. Pra, rritjes së çmimeve i shtohet edhe një shumë lekësh të mbledhura nga taksapaguesit, që në vend të shpenzohet për investime, do t’i kalojë shpenzimeve të zgjedhjeve presidenciale. Ndërkaq, zgjedhja e presidentit nga populli do të thotë një proces më shumë, ku duhen garantuar standardet e kërkuara prej vitesh nga ndërkombëtarët, që edhe në rastin e fundit u quajt një shans i humbur. Procesi mbi të gjitha, do të rëndojë mbi institucionin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që edhe pse u hoq nga statusi në Kushtetutë, pritet të vazhdojë punën e organizimit të proceseve elektorale që në numër arrijnë 3. Disa zyrtarë të KQZ-së komentuan për “Korrierin” lidhur me ndryshimet që sjell shtimi i një procesi tjetër zgjedhor. Për problematikën që mund të sjellë shtimi i një detyre më shumë apo edhe koston financiare, kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata thekson se, derisa propozimi të miratohet, nuk mund të japë një qëndrim publik. “Nuk mund të shprehem lidhur me këtë çështje, derisa propozimi të miratohet. Sigurisht që pasi ky propozim të ketë kaluar në Kuvend, do të japim qëndrimin tonë”, - deklaron ai. Ndërkohë, anëtari i KQZ-së, Klement Zguri, thekson se shtimi i punës së KQZ-së me një proces më shumë nuk është i papërballueshëm. “Ne si KQZ do të bëjmë punën tonë. Nuk mendoj se shtimi i një procesi tjetër zgjedhor është një ngarkesë e madhe apo e papërballueshme. Po të vendosë politika, ne si institucion do të zbatojmë ligjin”, - deklaroi ai. Për KQZ-në procesi duket se është mëse i përballueshëm, madje burime të tjera thonë se ky proces është edhe më i menaxhueshëm se zgjedhjet vendore apo ato të përgjithshme. Ndërkaq, zgjedhja e presidentit nga populli do të thotë shpenzime nga KQZ-ja për të organizuar procesin elektoral. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, konfirmon se procesi i fundit zgjedhor, pra zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007, kanë kushtuar rreth 7.5 milionë dollarë. “Por në rastin e votimit për presidentin, nuk mund të parashikohet që tani vlera. Kjo do të varet nga mënyra e votimit. Ka shtete që e kanë zgjedhjen e presidentit me 50 plus 1 për qind të të gjithë shtetasve që kanë të drejtë të votojnë. Nëse kjo nuk bëhet në raundin e dytë, zgjidhet me 50 plus 1 për qind të atyre që kanë marrë pjesë në votime. Pra, janë dy procese. Duhet parë sesi do të përcaktohet në rastin konkret”, - deklaron Olli. Më tej, burime nga KQZ-ja thonë se shpenzimet në zgjedhjet e tjera janë më të mëdha pasi paguhen komisionarët, që ka 14 për çdo qendër, ambientet që merren me qira etj. Të njëjtat burime theksojnë se ndryshe nga dy proceset e tjera, ai zgjedhor mund të shkojë shumë më pak, rreth 3 milionë dollarë. Madje ka edhe nga ata që mendojnë se shifra mund të jetë 2 milionë. Por, sado qoftë shifra, shuma merret nga buxheti i shtetit, që do të thotë nga të ardhurat që mbledh shteti nga qytetarët. Veç kësaj, shpenzime do të ketë edhe nga kandidatët për fushatat elektorale, që në precedencë kapi shifra stratosferike, shumë më të larta edhe se fushatat e vendeve me standarde shumë më të larta ekonomike se vendi ynë. saqellari@korrieri.com