E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu kundër proporcionalit

Kreu republikan thote se sistemi qe pritet te votohet, krijon probleme per te djathten brenda familjes se te ciles ai ben pjese

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, e ka cilësuar sistemin e ri zgjedhor si një sistem që krijon shumë probleme për të djathtën, megjithatë, sipas tij, duhet shkuar përtej interesave partiake. “Ky sistem krijon shumë pak hapësira të pluralizmit politik në Shqipëri, megjithatë çdo sistem duhet parë në një këndvështrim edhe përtej interesave të vogla partiake”, ka thënë republikani Mediu. Duke komentuar sistemin e ri zgjedhor, Mediu ka thënë se “ky sistem krijon një raport të detyrueshëm marrëdhëniesh me përfaqësimin politik dhe me identitetin politik të partive”. I pyetur për negociatat që krerët e partive aleate po zhvillojnë me kryeministrin Sali Berisha, ai ka thënë se nuk është arritur akoma në ndonjë përfundim. Kjo deklaratë e republikanit Mediu vjen pas tri tryezash të dështuara për të gjetur një zgjidhje për aleatët. “Çështja është që çdo sistem zgjedhor natyrisht ka brenda dhe raportet dhe interesat politike të partive të ndryshme, ndaj po përpiqemi që brenda këtyre raporteve dhe interesave të shikojmë atë që është në interes të së djathtës”, ka thënë Mediu. Në të njëjtën ditë, edhe kreu i reformatorëve, Genc Pollo, është shprehur se “tryeza e krerëve të partive të djathta po diskuton për një formulë zgjedhore, që të jetë e drejtë për të gjitha forcat politike”. Sipas tij, në tryezën e pak ditëve më parë me kryeministrin Berisha, është diskutuar për formulën zgjedhore dhe për mundësitë që sjell ajo për eliminimin e problemeve që janë vërejtur më përpara. Ndërkohë, edhe aleati tjetër, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka komentuar tryezën e së djathtës, duke thënë se akoma nuk është arritur gjetja e një formule, e cila mund të kënaqë aleatët. Vetë Dule dy ditë më parë e ka braktisur tryezën më përpara se aleatët e tjerë. Sikurse mësohet nga burime brenda tryezës, një ndër propozimet e Dules ka qenë edhe ai i përllogaritjes së deputetëve të tij në bazë të përqindjes së minoritetit në Shqipëri. Megjithatë, mësohet se ky propozim nuk ka marrë “OK” e Berishës. Ndërkohë, pritet që takimet mes krerëve të partive aleate dhe kryeministrit Berisha të intensifikohen në këto ditë, deri në arritjen e një marrëveshjeje. Sikurse mësohet nga burime të sigurta, në takimin e fundit mes aleatëve dhe kryeministrit Berisha, krerët e partive aleate kanë kërkuar që formula e zgjidhjes të garantojë përfaqësinë e krerëve të partive në Parlament. Duke qenë se diskutimet kanë qenë të gjata dhe pa asnjë fryt, aleatët nuk kanë pranuar që të dalin në publik dhe të tregojnë për atë që është diskutuar me kryeministrin Berisha. Sikurse mësohet, janë diskutuar shumë zgjidhje gjatë tryezës së djathtë, por akoma nuk është arritur në një zgjidhje e cila mund të kënaqë krerët e partive aleate, të cilët pretendojnë se sistemi i ri zgjedhor sjell largimin e tyre dhe të forcës së tyre në Parlament. K.K

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›