Xhaxha e nip, në pranga për 100 kg marijuanë
Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Fierit për kultivim dhe shitje bimësh narkotike. Ka qenë operacioni i koduar "Weekend 2", i nisur mesditën e së premtes, që është finalizuar disa orë më vonë me prangosjen e Ylli dhe Muhamet Muskajt, xhaxha e nip. Gjatë kontrollit në banesë, atyre u janë gjetur 18 thasë me afro 100 kg marijuanë. Operacioni është zbatuar nga seksioni i anti-drogës në Drejtorinë e Policisë së Fierit, si dhe nga seksioni i krimit të hapur në këtë drejtori. Agjentët kishin siguruar informacion për dy të arrestuarit dhe mesditën e djeshme policia ka ushtruar fillimisht kontroll në banesën e 20-vjeçarit Muhamet Muskaj, në fshatin Gjorgoz të Komunës Cakran në Rrethin e Fierit. Sipas burimeve zyrtare të policisë, në banesën e 20-vjeçarit është gjetur një sasi prej afro 20 kg marijuanë që ishte e shpërndarë në katër thasë. Pas marrjes në pyetje të 20-vjeçarit dhe pas inspektimit të bimës narkotike në polici, agjentët e Antidrogës kanë kryer kontroll dhe në banesën e xhaxhait të tij, Ylli Muskaj, 46 vjeç, edhe ky banor i fshatit Gjorgoz. Në banesën e këtij të fundit policia ka gjetur 14 thasë me marijuanë, që më pas ka rezultuar se ishin afro 80 kg. Sasia totale e lëndës narkotike të gjetur nga policia në banesat e Muhamet dhe Ylli Musa ka qenë rreth 100 kg. Pas dokumentimit të gjithë informacionit është prerë edhe urdhër arresti për Muskajt, nën akuzën e "prodhimit dhe shitjes së bimëve narkotike". Sipas burimeve policore, mësohet se dy të arrestuarit e kishin kultivuar hashashin në tokat e tyre para dy vjetësh. Mendohet se ata kanë disponuar një sasi më të madhe lënde narkotike, por një pjesë të tyre e kanë tregtuar gjatë kësaj periudhe kohore. 100 kg që u sekuestruan pasditen e së premtes kanë pasur si destinacion tregun vendas dhe atë grek.