E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, një i vdekur dhe një e plagosur rëndë

Dy aksidente të rënda, njëri me pasojë vdekjen e një 42-vjeçari, kanë ndodhur dje në Elbasan dhe Dibër. Ka qenë ora 00:30 e së premtes, kur në aksin rrugor Elbasan-Letan, në fshatin Balëz, 42-vjeçari Nazmi Gjoni, banues i këtij fshati, duke drejtuar automjetin e tij të tipit "Mercedes Benz", me targa EL3186B, ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit dhe është përplasur me murin anësor të rrugës. Përplasja ka qenë fatale dhe burri ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, që ka kryer veprimet procedurale dhe ka punuar për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Ekspertët e policisë lokale nuk kanë ende një variant zyrtar rreth shkaqeve, por mendojnë se aksidenti mund të ketë ardhur si pasojë e pagjumësisë ose e konsumimit të dozave të larta të alkoolit. Ndërkohë, në rrugën nacionale Shupenzë-Bulqizë, në afërsi të fshatit Krajkë të Bulqizës, një grua 58-vjeçare është përplasur nga një furgon, duke u plagosur rëndë. Fatime Kurçani, sapo ka zbritur nga autobusi i linjës me të cilin udhëtonte nga Bulqiza, dhe teksa kalonte rrugën për të shkuar në shtëpi, është përplasur nga një furgon. Gruaja është transportuar menjëherë për në spitalin e Bulqizës dhe burime nga ky spital bëjnë të ditur se e aksidentuara ka qenë në gjendje të rëndë. Pas ndihmës së parë mjekësore ajo është dërguar për trajtim më të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ekspertë të policisë po hetojnë rreth shkaqeve të këtij aksidenti. Mendohet se shpejtësia e lëvizjes së automjetit tej normave të lejuara dhe rruga me lagështirë kanë qenë shkaqet e aksidentit që çoi në plagosjen e 58-vjeçares.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›